Apostolova e dëshpëruar me gjendjen në arsim: Investuam miliona, rezultati zero

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka kërkuar që të bëhen reforma në arsim.

Në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Arsim ajo ka paralajmëruar se në bashkëpunim me MASHT-in janë duke punuar në një program të ri që do ta përmirësojë gjendjen në këtë sektor.

Për këtë e ka ftuar Qeverinë që ta miratojë dhe mbështesë këtë dokument.

Apostolova ka thënë se nuk u intereson nga cila parti politike vijnë njerëzit që punojnë në këtë fushë, u intereson vetëm që të kenë profesionalizëm.

Ajo ka thënë se çdo ditë që vonohet reforma e edukimit, është krim kundër gjeneratave të reja në Kosovë.

“BE-ja ka dedikuar një shumë mjaft të madhe për mbështetjen e edukimit, për shembull, në IPA 2016, ky është instrumenti i para anëtarësimit, ne kemi investuar rreth 6 milionë euro në sektorin e edukimit dhe kemi për qëllim që këtë shumë të parave ta rrisim në 12 milionë dhe 15 milionë, respektivisht në pakon e IPA 2017 dhe IPA 2018”, u shpreh Apostolova.

Tutje, Apostolova ka folur me shifra për investimet që Kosova ka pranuar nga ky faktor ndërkombëtar për përmirësimin e arsimit në vend.

“Deri më tani BE-ja në edukim ka investuar 34 milionë euro. Kur i shoh këto shifra, e pyes ekipin tim: ku kanë shkuar paratë tona? Sepse kur i shohim rezultatet e fundit të PISA-s dhe nëse lexoni raportet… analiza e sektorit të edukimit është e tmerrshme, për këtë vendosëm që të angazhohemi dhe se duhet të angazhohemi në reformën e edukimit, jo vetëm tani, ky do të jetë një proces i gjatë, ky është një proces që jep rezultate në aspektin afat-mesëm dhe atë afat-gjatë, fatkeqësisht, kështu funksionon në edukim”, tha Apostolova.

Shefja e BE-së ka përmendur një rast të rezistencës të marrë nga Ministria e Arsimit në lidhje me organogramin e ri.

“Duhet ta dini se ka rezistencë të fortë brenda Ministrisë sa i përket organogramit të ri, dhe jam e sigurt që ju tashmë jeni informuar për këtë, përmes partive politike, apo ekspertëve të tjerë që punojnë në ministri. Por, unë do t’iu risiguroj se kjo reformë është shumë e rëndësishme për ne dhe nuk do të heqim dorë”, tha shefja e BE-së në Kosovë.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Albulena Balaj-Halimaj e cila është deputete e Nismës.

Duke i dal në krah Ministrisë që udhëhiqet nga bashkëpartiaku i tij Balaj-Halimaj e ka pyetur Apostolovën se çfarë rezistence ka marrë nga Ministria e Arsimit.

“Thatë që ne kemi hasur në rezistencë nga ana e Ministrisë, do doja të di cila është ajo rezistencë sepse për herë të parë po e përmendi në komision, siç e patë asnjë anëtar i komisionit nuk e përmendi subjektin e vet politik, sepse ne në komision vërtetë punojmë për arsimin, pa e mendu gati asnjëherë ose pa i thanë qëndrimet tona partiake dhe politike, unë në komision harroj në cilin subjekt politik jam, por sot po e përmend, sepse Ministria e Arsimit është ministri e cila udhëheq njëri nga anëtarët e subjektit tonë, pra i takon subjektit tonë, dhe unë e di që Ministri i Arsimit e ka çdo vullnet për ndryshim”, e pyeti Balaj-Halimaj shefen e BE-së.

Apostolova ndaj kësaj u përgjigj duke thënë se ministri personalisht është shumë i përkushtuar, mirëpo sipas saj ai nuk mund ta kryejë punën i vetëm.

Kryetari i Komisionit për Arsim , Ismal Kurteshi ka thënë se arsimi nuk ecë përpara me fushata por me investime në këtë sektor.

“Arsimi në Kosovë nuk do të ecë përpara me fushata, po do të ecë përpara vetëm nëse ne i rrisim investimet, nëse organizohemi më mirë në fushën e arsimit, nëse punojmë në mënyrë konsistente që arsimi në Kosovë të jetë prioritet, të ngritet cilësia në arsim, që t’i orientojmë të rinjtë herët dhe ata t’i lidhim me tregun e punës, në mënyrë që kur t’i përfundojnë studimet ta shohin perspektivën e tyre, në vendin e tyre, dhe të mos jenë të pa shpresë dhe të mos shikojnë, dhe të interesohen vetëm për liberalizimin e vizave që jemi shumë të sigurt se nuk është zgjidhje për gjeneratat tona”, tha Kurteshi.

Prania e Apostolovës, sipas Kurteshit jep shpresë se BE-ja do të kontribuojë që synimet e tyre për arsimin të bëhen në realitet.

Zëvendëskryetarja e parë e komisionit, Teuta Haxhiu nga AAK-ja në fjalën e saj ka shprehur shqetësim lidhur me ndikimin e pushtetit lokal në zgjedhjen e drejtorëve të shkollave.

Nezir Çoçaj nga PDK-ja ka kujtuar se përgatitja e mësimdhënësve ka qenë në frymën e socializmit, duke shtuar se me përgatitjen sa më të madhe të mësimdhënësve do të dalin rezultate më të mira. Deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci u shpreh se ligjet nuk janë të dobëta, por mungon vullneti politik për zbatimin e tyre.

Fidan Rekaliu nga LDK ka thënë se edhe pse BE-ja ka bërë punë të madhe, megjithatë ka nevojë për më shumë fonde të kësaj fushe.

Gazetari

Read Previous

Zogu digjet nga rryma, i vë flakën fushës

Read Next

Politika “miqësore” e Serbisë ndaj Kosovës