Anulimi i Ligjit për Paga, kush ia sheh hajrin e kush sherrin?

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Paga në Sektorin Publik, i cili ishte miratuar gjatë kohës sa Ramush Haradinaj ishte në krye të Qeverisë së Kosovës. Sipas këtij ligji, shumica e punëtorëve do t’i merrnin pagat me rritje. Por, dikush do të vazhdojë të marr pagën me rritje edhe pas këtij vendimi.

Rreth 80 mijë punëtorë që paguhen nga buxheti do të vazhdojnë që të marrin pagat pa rritje, meqenëse Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Paga në Sektorin Publik.

Sipas vendimit të Kushtetuese, ligji në tërësi nuk është në përpuethshmëri me disa nene të Kushtetutës së Kosovës.

Në vendim theksohet se ka pasur përjashtime arbitrare dhe të paarsyetuara për disa institucione, përfshirë: Forcën e Sigurisë së Kosovës, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Bankën Qendrore të Kosovës, dhe vet Kuvendin.

“Gjykata arriti në përfundimin se, përjashtimet e akorduara me Ligjin e kontestuar kundërshtojnë haptazi vet qëllimin e ‘harmonizimit’ gjithëpërfshirës për të cilin thuhet të jetë nxjerrë. Rrjedhimisht, përjashtimet e bëra u konsideruan se shkojnë kundër vet qëllimit të Ligjit dhe krijojnë diferencime të paarsyetuara, të padëshmuara dhe arbitrare”, thuhet në arsyetimin e Kushtetueses.

Por, kush do të ia sheh hajrin e kush sherrin vendimit të sotshëm të Gjykatës Kushtetuese për këtë ligj?

Me vendimin e sotëm, përfitues do të jenë Presidenti i Kosovës dhe Kryetarja e Kuvendit.

Në bazë të Ligjit, presidenti i Kosovës pritej ta ketë pagën më të lartë dhe do të paguhej sipas koeficientit 10, deri sa kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese do të paguheshin sipas koeficientit 9.

Llogaritur sipas koeficientit, presidenti i Republikës do ta kishte pagën 2,390 euro nga 2,672 euro që është paguar deri më tani, ndërsa kryetari i Kuvendit do të kishte pagën 2,151 apo 404 euro më pak se paga aktuale.

Me anulimin e Ligjit, ata do të vazhdojnë ta marrin pagën pa zbritje.

E nëse Albin Kurti nuk do të shfuqizonte vendimin e Ramush Haradinajt për rritje page, zbritje do të kishte edhe Kryeministri i Kosovës, zëvendëskryeministrat e ministrat.

Sipas Ligjit për Paga, kryeministri do të paguhej 2,950, zëvendëskryeministrat do të paguheshin nga 2,031 euro, derisa ministrat do të merrnin nga 1,912 euro, që i bie se do të merrnin pagën me rritje.

Nëse nuk do të shpallej i pavlefshëm ky ligj, zbritje do të kishin edhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Me Ligjin për Paga, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese parashihej që të paguhej 2,950 euro, nga 3,108 euro sa paguhet aktualisht.

Pagë në vlerë prej 1,912 euro do të merrte deputeti i Kuvendit të Kosovës, kryetari i Kryeqytetit, kryetari i Gjykatës Supreme, Kryeprokurori i Shtetit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kryetari i Akademisë së Shkencave, Avokati i Popullit dhe Auditori i Përgjithshëm i Kosovës.

Me këtë ligj, profesorët në universitete do të merrnin 1 mijë e 505 euro, mjeku specialist do të paguhej 1 mijë e 195 euro, mjeku i përgjithshëm, 836 euro, mësimdhënësi në shkollë të mesme 621 euro, mësimdhënësi në shkollë fillore 549 euro, zjarrfikësi do të merrt5e 525 euro, polici 478 euro, derisa paga më e ulët do të ishte për rojet dhe shtëpiakët që do të merrnin nga 322 euro.

Me ligjin që u anulua parashihej që shefi i Kuvendit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, kryeprokurori dhe kryetari i Gjykatës Supreme të paguheshin edhe pesë vite pasi të largohen nga pozitat e tyre. Ata do të merrnin 70 për qind të pagës së fundit, në institucionin ku kanë vepruar dhe veç kësaj ata do të përfitonin edhe një asistent, vozitës dhe veturë zyrtare.

Pagë pas përfundimit të mandatit nga buxheti i shtetit parashihej të merrnin edhe deputetët.

“Deputeti pas përfundimit të mandatit të rregullt apo para kohe, i cili nuk realizon asnjë të hyrë nga buxheti i shtetit ka të drejtën e kompensimit kalimtar prej një vit, në vlerë 70 për qind të pagës së fundit që e kanë marrë”, thuhet në Ligjin për Paga.

Edhe ministrat dhe kryetarët e komunës do të marrin 70 për qind të pagës edhe pas përfundimit të mandatit.

Ndryshe, vetëm pesë ditë pasi kishte hyrë në fuqi Ligji i ri për paga, në dhjetor të 2019-s, Avokati i Popullit e kishte dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të përputhshmërisë së tij me Kushtetutën.

Kërkesa ishte bërë pasi Avokati i Popullit kishte pranuar 35 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik të parashtruara kundër Ligjit për paga, duke përfshirë këtu edhe ankesat nga punëtorët në shëndetësi, në arsim, në polici dhe në shërbimin civil.

Ardian H

Read Previous

Grenell: I nxitëm edhe evropianët, po i kërkojnë Merkelit liberalizim vizash për Kosovën

Read Next

Pezullimi i Ligjit për Paga, sindikatat vendosin nesër për hapat e mëtutjeshëm