Lajme 

Alarmante, sivjet humbën jetën 97 qytetarë në aksidentet

Vetëm brenda këtij viti kanë vdekur 97 persona gjatë aksidenteve në trafikun rrugor, ndërsa që nga paslufta kanë humbur jetën mbi 2500 persona nga aksidentet në trafik, ndërsa mesatarisht në vit numri i aksidenteve me fatalitet është 122.

Kjo u bë e ditur nga Policia e Kosovës në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Përkujtimit të Viktimave në Trafikun Rrugor, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, gjegjësisht Këshillin e Sigurisë në Trafikun Rrugor dhe me Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës.

Nënkoloneli Jeton Rexhepi, drejtor i Divizionit të Komunikacionit nga Policia e Kosovës, theksoi se shkaktar të aksidenteve me fatalitet është mos përshtatja e shpejtësisë në rrugë, teksa shtoi se është mjaftueshëm  edhe numri i gjobave ndaj kundërvajtësve.

Rexhepi pohoi se me qëllim të përmbledhjes së aktiviteteve në shënim të kësaj dite ndërkombëtare të sigurisë, është organizuar një tryezë e përbashkët me moton “Jeta nuk është pjesë e veturës”.

“Deri më sot në Kosovë kanë vdekur 2513 persona, është një shifër shqetësuese, mirëpo nëse kthehemi tek viti 2019, tani po e shënojmë këtë ditë botërore me 10 viktima më pakë se sa periudha e njëjtë e vitit të kaluar, do të thotë këtë vit kemi 97m persona që kanë humbur jetën, ndërsa në vitin e kaluar kanë qenë 107. Për këtë arsye jo pse kemi rënie të lehtë aksidenteve, mirëpo qëllimi është përmes aktiviteteve edhe edukuese ose parandaluese, por edhe përmes sensibilizimit të akterëve të tjerë, të pjesëmarrësve në cilësi të shoferit dhe të këmbësorit, të ndikojmë që ata gradualisht të ndryshojnë sjelljet në trafikun rrugor që të kemi një siguri më të madhe në trafik”, theksoi Rexhepi.

Fejzullah Mustafa, nga Këshilli i Sigurisë për Siguri në Trafik në Ministri tha se në shërbim të kësaj dite kanë organizuar aktivitetet që kanë qëllimi që të rritet vetëdijesimi për të rinjtë.

Fejzullahu duke paraqitur edhe statistikat për vdekjet aksidentale në botë, bëri të ditur se personat që humbin jetën më se shumti, janë në vendet që kanë të hyra të mesme, ndërsa më të rrezikuarit janë njerëzit e moshës 19 deri 35 vjeç.

Ai duke folur për aspektin e politikave, ndërtimit të strategjive dhe planit të veprimit për përmirësimin e sigurisë rrugore, tha se strategjia e re duhet të jetë në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe veprimet e strategjisë të përfshihen në menaxhimin e sigurisë rrugore, në mbrojtjen e shoferëve, këmbësorëve dhe pjesëmarrësit tjerë.

“Kur jemi tek faktet, jo vetëm në Kosovë por në gjithë botën janë problem aksidentet rrugore, duke u mbështetur në statistika të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në vit, në botë vdesin 1.3 milionë njerëz, çka është shqetësuese edhe për ne edhe për mbarë botën. Andaj, kërkohet nga të gjitha institucionet vendosja e sigurisë si pikë e parë në agjendën politike. Pastaj, duke u bazuar në statistikën ndërkombëtare kemi diku rreth 50 milionë njerëz të lënduar”, deklaroi Mustafa.

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve, Sami Mazreku duke treguar rëndësinë e shënimit të kësaj dite për rritjen e vetëdijesimit për uljen e aksidenteve në trafik, tha se kompanitë e sigurimeve kanë paguar 400 milionë euro dëme, 40 milionë prej tyre vetëm nga veturat e pasiguruara.

Në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, kompanitë kanë paguar 22 milionë dëme gjë që është në rritje për 5.7 përqind krahasuar me vitin 2018.

“Komplet kemi prezantuar për herë të parë se sa industria e sigurimeve nga viti 2001 deri 2018 ka paguar dëme, ku është një shumë prej 400 milionë euro dëme të paguara pa përfshirë vitin 2019. Nga këto dëme 40 milionë euro janë nga automjetet e pasiguruara dhe pa regjistruara. Pastaj, një çështje tjetër që nuk lidhet me temën e sotme, është policia pa sigurime shëndetësore. Në numrin e parafundit e kemi një paraqitje të dëmeve që janë paguar janar-qershor 2018 dhe krahasuar me 2019, ku vetëm në këtë viti në gjashtë mujorin e parë kompanitë e sigurimeve kanë paguar 22 milionë euro dëme që është në rritje prej 5.7 përqind krahasuar me vitin e kaluar”, deklaroi Mazreku.

Drejtori i Klinikës Emergjente në ShSKUK, Basri Lenjani, duke folur për këtë dukuri shqetësuese të aksidenteve në Kosovë, tha se 3 mijë e 806 raste nga aksidentet janë trajtuar në QKUK ose 97 raste është rritur numri krahasuar me vitin e kaluar.

Të fundit nga kategoria

Leave a Comment

Social media & sharing icons powered by UltimatelySocial