Abrashi: Me rishikimin e buxhetit lëshohen 170 eurot dhe pagesat e 50% të qirave

Deputeti i AAK-së Gazmend Abrashi në emër të Grupit Parlamentar bëri thirrje që të votohet rishikimi i buxhetit duke thënë se kjo është në të mirë të qytetarëve.

Ai tha se rishikimi i buxhetit do të mundësojë që menjëherë të procesohet me pagesat e vonuara prej 170 euro për punëtorët e sektorit privat dhe pagesat e 50 për qind të qirave për dy muaj siç ka qenë e paraparë në Pakon Emergjente në Qeverinë Kurti.

“Masat e marra për luftimin e pandemisë COVID-19 kanë shkaktuar rënie të aktivitetit ekonomik në vend, e kjo po reflektohet në të hyrat e buxhetit të vendit dhe me një situatë të vështirë ekonomike me të cilën veçanërisht po ballafaqohet sektori privat.
Buxheti i vendit sipas projeksioneve do të ketë rënie të të hyrave tatimore në vlerë prej 232 milionë euro për këtë vit, por trendi mundet me qenë shumë më i madh.

“Rishikimi i buxhetit është bërë i domosdoshëm që të mund të sigurojmë stabilitetin buxhetor të vendit dhe të mundësohet reagimi adekuat në kërkesat e kohës kur po ballafaqohemi me pandeminë dhe krizën ekonomike në vend.
Me rishikim të buxhetit është paraparë që shpenzimet buxhetore nga 2 miliardë e 357 milionë euro sipas buxhetit aktual, të ngriten në 2 miliardë e 772 milionë euro”.

“Një rritje për 15% që do të sigurojë stabilitetin e organizatave buxhetore, buxhetet e Komunave, realizimin e projekteve kapitale dhe sigurisht implementimin komplet të Pakos Emergjente dhe fillimin e implementimit të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike.
Tashmë në Qeveri ka kaluar Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike që parasheh masa të fuqishme që do të ndihmojnë veçanërisht sektorin e bizneseve në Kosovë që të tejkalojnë vështirësitë në të cilat gjenden pas aplikimit të masave për luftimin e Covid-19 dhe pasojave që ka shkaktuar dhe po shkakton Pandemia në ekonominë e vendit, në ekonominë botërore e që po reflektohet edhe tek ne.
Me këtë rishikim të buxhetit do të mobilizohen rreth 600 milion euro për të mbuluar mungesën e të hyrave tatimore prej 232 milion eurove dhe të dedikohen 385 Milion euro për vitin 2020”.

“Sektori Privat gjeneron të hyrat kryesore në Buxhetin e Kosovës dhe duhet ta pranojmë se nuk e kemi trajtuar me prioritet siç është dashur duke e ditë rëndësinë e tij për ekonominë e vendit. Projektligji i propozuar për plotësim dhe ndryshim i buxhetit të Kosovës ka burimet mbështetëse nga financimet e jashtme dhe të brendshme. Do të kemi rritje të borxhit publik në 24% të Bruto Produktit Vendor, rritje e moderuar e cila është mundësuar falë disiplinës fiskale që është implementuar gjatë viteve të kaluara dhe që vazhdon ta renditë Kosovën në vendin me borxhin më të ulët publik në raport me vendet e rajonit”.

Abrashi tha se në Komisionin për Buxhet dhe Transfere kanë pranuar shumë kërkesa në formë të amandamenteve nga deputetët dhe organizatat buxhetore për projekte të ndryshme të cilat me rishikim janë transferuar për implementim në vitin e ardhshëm.

“Shumë kërkesa për projekte të reja, për rritje të buxheteve të organizatave buxhetore dhe propozime për riorganizim të vijave buxhetore nga një projekt në tjetrin.
Kërkesat e parashtruara ishin shumica të arsyeshme dhe në interes të qytetarëve të vendit, por mundësitë buxhetore të limituara dhe prioritetet me të cilat po ballafaqohemi nuk japin hapësirë që me buxhet të këtij viti të realizohen”.

“Tashmë po hyjmë në pjesën e dytë të vitit dhe siç tashmë është e njohur, procedurat e Prokurimit kërkojnë kohë dhe realisht për shkak të Pandemisë dhe situatës së krijuar, fillimet e projekteve të reja do të presin vitin e ardhshëm ku besojmë që do të rikuperohemi nga pasojat e pandemisë dhe ti stabilizojmë të hyrat në buxhetin e Kosovës. Projektet e filluara do të kenë financimin e nevojshëm duke pasë mirëkuptim nga të gjithë, për shkurtimet që janë bërë”.

“Në Komision për Buxhet dhe Transfere janë parashtruar rreth 90 amandamente. Duke pasë parasysh mundësitë buxhetore të limituara është gjetur mundësi për mbështetje të 20 amandamenteve të parashtruara e që kryesisht janë Rirregullim në projektet e caktuara tashmë të parapara në buxhet, transfer nga një kod buxhetor në tjetrin, në bazë të situatës aktuale të projekteve, mbështetje për projekte me prioritet të kohës dhe mbështetje për kategori specifike më të ndjeshme të shoqërisë”.

“Në Komision si deputet kam parashtruar kërkesën për rritjen e përkrahjes për Gjykatën Speciale në 20 milionë euro gjithmonë duke pasë parasysh rrethanat e reja të krijuara nga kjo Gjykatë. Është në interes të vendit që të sigurohet mbështetja e nevojshme për tejkalimin e kësaj sfide që po e pret Kosovën”.

“Të urojmë që nuk do të kemi nevojë t’i shpenzojmë këto mjete të dedikuara për Gjykatë dhe se Kosova, edhe nga këtu do të del fitimtare. Në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit dhe Qeverisë janë siguruar mjetet e nevojshme shtesë dhe këtij amandamenti në Komision i është dhënë përkrahje e anëtarëve të komisionit.
Nga kodi 29300 janë siguruar 20 milion euro, prej të cilave 3.5 milion i shtohen Ministrisë së Drejtësisë për programin ekzistues për Gjykatën Speciale ndërsa 13.5 milion vendosen në Fondin për Kontigjencë tek Ministria e Financave”.

“Jemi në momente delikate për shtetësinë dhe integritetin e Kosovës, na duhet mobilizim i të gjithëve për mbrojtjen e dinjitetit kombëtar dhe integritetit të Kosovës. Në këtë kauzë duhet të jemi të bashkuar dhe të unifikuar”.

Fitore H

Read Previous

Pasuria e ish- ministrit në Qeverinë e Kosovës, si dhe borxhet mbi 100 mijë euro

Read Next

Gjini thotë se ka informacion për 3 persona të vdekur nga Covid 19, në Spitalin e Gjakovës e mbyllin telefonin