Sa ministra e zëvendësministra do t’i kenë serbët në qeverinë e ardhshme sipas Kushtetutës?

Zgjedhjet në Kosovë kanë prodhuar një fitues të tyre, e që është Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa koalicioni qeverisës pritet të jetë ai mes tyre dhe partisë që doli e dyta në këto zgjedhje, Lidhjës Demokratike të Kosovës.

Madje, ky koalicion pothuajse është konfirmuar nga të dy taboret. Vetëvendosje kanë treguar se do t’i ftojnë LDK-në në koalicion, e nga LDK-ja thonë se nuk ka alternativë tjetër përveç koalicionit me Vetëvendosjen.

Lidhja Demokratike e Kosovës siç duket është pajtuar edhe me heqjen dorë nga posti i kryeministrit, post ky që pritet të ushtrohet në qeverinë e ardhshme nga i pari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Kurti pas shpalljes së fitores, menjëherë filloi të fliste për formimin e qeverisë, e sipas tij, aty nuk do të ketë vend për Listën Serbe.

“Kushtetuta jonë thotë se duhet të jetë së paku një ministër nga komuniteti serb në qeverinë tonë, por nuk thotë se duhet të jetë nga Lista Serbe. Kështu që ne do t’i përqendrojmë përparësitë tona në pakicat si komunitetet, jo si parti”, – tha Kurti.

E njohësi i Kushtetutës, Muhamet Kelmendi për lajmi.net ka shpjeguar se çfarë pozita do të kenë minoritetet në qeverinë e ardhshme, kushdo që e formon atë.

Kelmendi është shprehur se në qeveri duhet të jenë dy grupe të minoriteteve, serbe dhe jo-serbe dhe sipas tij në këtë pikë nuk mund të ndërhyhet.

“Sipas Kushtetutës është e caktuar se në qeveri duhet të jenë dy grupet e minoriteteve, serbe dhe jo-serbe. Janë të caktuara poashtu edhe vendet në Kuvend dhe ato në Qeveri dhe nuk mund të ndikohet në këtë pikë”, tha Kelmendi për lajmi.net.

Kelmendi më tutje ka treguar se dy grupet e komuniteteve duhet të kenë gjithashtu nga një nënkryetar të Kuvendit dhe anëtarët e vet të kryesisë së Kuvendit.

“Nënkryetarin e Kuvendit, anëtarë të kryesisë. Këto janë rregulla, që të ndërrohen këto, duhet të ndërrohet Kushtetuta. Partitë mund të llogarisin nëse kanë ose jo nevojë, por minoritetet janë me pozitën”, tha Kelmendi për lajmi.net.

Më tutje, Kelmendi ka shpjeguar se si shkon emërimi i ministrave dhe zëvendësministrave të komuniteteve jo-shumicë sipas Kushtetutës së Kosovës.

“Në Qeveri duhet të jetë së paku një ministër nga komuniteti serb dhe një ministër nga komunitetet jo-shumicë nëse janë vetëm 12 ministri. Në qoftë se kalohet numri i 12 ministrive, janë 2 ministri nga serbët, 1 nga komunitetet jo-shumicë, 3 zëvendësministra nga serbët dhe 2 zëvendësministra nga komunitetet jo shumicë”, sqaroi Kelmendi për lajmi.net.

“Dy nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet pakicë, serbe dhe jo-serbe, do të thotë një nënkryetar i Kuvendit duhet të jetë nga pakicat serbe dhe një nënkryetar nga pakicat jo-serbe”, vazhdoi ai.

Kujtojmë se Lista Serbe ka fituar shumicën dërmuese të votave të serbëve në Kosovë, duke lënë kështu koalicionin serb “Sloboda”, me një numër tejet të vogël votash.