Policia, e vendosur të mos i lejojë futbollistët serbë të hyjnë në Kosovë

Ndeshja e planifikuar të zhvillohet sot në orën 15:00 mes klubit serb nga Kosova, Trepça, dhe Crvena Zvezdas në territorin e Kosovës nuk do të zhvillohet. Forcat policore në Jarinë janë vendosur për të mos e lejuar hyrjen e futbollistëve serbë.

Federata e Futbollit e Kosovës kishte lajmëruar se ndeshja nuk do të zhvillohet dhe për këtë gjë kishte kërkuar ndihmë nga Policia e Kosovës, e cila e kishte detyrën për t’i ndalur futbollistë serbë të hyjnë në territorin e Kosovës, transmeton Gazeta Express.

FFK-ja e ka kundërshtuar pjesëmarrjen e klubeve serbe nga Kosova në garat e Serbisë, duke insistuar se vetëm ajo ka të drejtë të organizojë gara në territorin e Kosovës dhe për këtë tentim të Serbisë për të ndërhyrë në territorin kosovar është ankuar edhe në UEFA e FIFA.

Drejtori i Trepçës, Bojan Jaksic, e konfirmoi për mediumin serb Telegraf.rs se ndeshja e Kupës së Serbisë mes dy klubeve nuk do të zhvillohet.

I pranishëm në Jarinë ishte edhe presidenti i Listës Serbe, Goran Rakic.

“Nuk kam ende asnjë informatë zyrtare për ndeshjen. Natyrisht se ne do të bëjmë tifo për të tanët, për klubin më të mirë, për Serbinë tonë”, tha Rakic në një deklaratë për Kuririn.