Cilin lider do ta votoni me 6 tetor?

Kjo është një garë e pastër individësh dhe shumë më pak partish. Dukshëm minimalisht i bie të jetë garë programore.

Edhe kur kanë kohë, politikanët kosovarë mezi hartojnë ndonjë ofertë për qytetarët e lërë më në kohë të zgjedhjeve të parakohshme.

Nga ajo që është shpalosur deri tani, ka tepër paqartësi dhe mospërputhje mes zotimeve e mundësive.

Dikush premton mijëra të punësuar në sektorin publik, pa shpjeguar se ku do t’i gjejë milionat për të paguar rrogat, në një administratë të stëngarkuar.

Në tjetër, zotohet se do ta rrisë ekonominë që në vitin e parë tetë ose nëntë për qind! Asnjë argument bindës, asnjë parametër të besueshëm.

Krahasuar me zgjedhjet e kaluara, ka një përmbajtje në këtë eufori elektorale. Askush nuk thotë se rrogat do t’i bëjë një mijë euro apo do të punësojë qindra mijëra njerëz.

Por, nga ana tjetër, asnjë parti nuk po shfaq vizion konkret në zvogëlimin e pabarazisë, çlirimin e tregut dhe vendosjen e sistemit të vlerave.

Mos të flasim për sundimin e ligjit. Edhe pse politikanët e kanë gojën plot “luftë kundër korrupsionit”, mungojnë planet dhe idetë për reformë.

Edhe pas 6 tetorit, me gjasë nuk do të ketë VETTING. Si rrjedhojë sistemi i drejtësisë, do të vazhdojë të funksionojë i dirigjuar nga individë dhe klane të pasuruara në mënyrë korruptive, që u shërbejnë dhe u japin llogari liderëve të caktuar.

Në këtë peisazh të koklavitur parazgjedhor, zgjedhja e një kandidati të mirë për kryeministër, do të ishte lajmi i shumëpritur.

Pavarësisht sondazheve, vota është e fshehtë dhe te kutia e votimit, rezultati mund të jetë befasues.

Nga ajo që kanë demonstruar kandidatët deri tani, vërehet qartë se ka një entuziazëm për Vjosa Osmanin e LDK-së dhe mobilizim për Albin Kurtin e VV-së.

Po arritën ta menaxhojnë mirë fushatën deri në fund, një partneritet mes tyre është i pritshëm pa shkaktuar vonesa menjëherë pas zgjedhjeve.

Gjithsesi, votuesit i kanë preferencat e tyre. Disa e duan Ramushin, të tjerëve u intereson Kadria apo Fatmiri.

Të konsumuarit në pushtet, janë më të rrezikuar për të dalë në opozitë, edhe pse kanë në dorë aparatin shtetëror, financat dhe nëntokën.

6 tetori, është ditë e ndjeshme për fatin e Kosovës.

Sovrani vendos nëse do t’ua shuajë ëndrrat e sëmura për pushtet disa kandidatëve dhe do t’u japë mundësi figurave të reja të marrin fatet e Republikës në duart e tyre.

Ka shpresë për ndryshim, por me PDK-në sërish në pushtet, harrojeni atë!