Osmani: Politikanë me mendësi primitive po më sulmojnë në baza gjinore

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, i ka quajtur “politikanë me mendësi primitive” të gjithë oponentët politikë që po e sulmojnë dhe po e quajnë të paaftë për shkak se është grua.

Gjatë një tubimi me gratë në Gjilan, ajo ka thënë se sulmet që po i bëhen në baza gjinore dëshmojnë për frikën e oponentëve politikë nga humbja më 6 tetor.

“Oponentëve të mi politikë iu ka hyrë frika në palcë sepse janë frikacakë nga ndryshimi i madh që do ta sjellim më 6 tetor, nga ndryshimi që do ta sjellim ne dhe vetëm ne. Nuk kanë asnjë rrugë përveç se të kthehen tek përbuzja gjinore dhe të tregojnë pasigurinë e tyre duke u përpjekur që të më sulmojnë për faktin se unë jam grua. Keqardhje që në shekullin 21 dhe në vitin 20019 kundërshtarët politikë kanë mentalitet primitiv. Ne e dimë se me çfarë primitivizmi e mentaliteti e kanë udhëhequr këtë vend që 20 vite dhe me çfarë përbuzje i kanë trajtuar qytetarët tanë”, ka thënë Osmani.

Ajo tha se pasi të marrë udhëheqjen e qeverisë do të transformoj mënyrën e menaxhimit të shtetit.

“Dua që të transformoj raportin qeveri-qytetar. Dua të transformojë mënyrën se si trajtohen vajzat, si trajtohen gratë, si trajtohen nënat, jo vetëm në rrethin e tyre, por edhe në ekonomi dhe çdo sferë të shtetit. Dua të transformojë mënyrën se si shteti e trajton familjen dhe biznesin, do të transformojë edhe mënyrën e të edukuarit dhe arsimuarit të fëmijëve tanë”, ka thënë kandidatja e LDK-së për kryeministre.

Ajo ka thënë se kanë mbetur edhe 16 ditë deri kur mendësia e udhëheqjes së shtetit nga njerëz profesionistë do të triumfoj ndaj mendësisë primitive.

“Këta politikanë primitivë nuk e meritojnë votën tuaj. Ata duke më përbuzur mua e përbuzin secilën grua të Kosovës. Prandaj ju ftoj që të mobilizoheni për fitoren e 6 tetorit pasi Kosova nuk ka shans të ndryshoj për të mirë me këta politikanë me mendësi primitive”, ka thënë Osmani.