Haradinaj: Kemi bërë punë pa hile për vendin tonë

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, në një takim me qytetarët e Podujevës, ka numëruar rreziqet në të cilat ishte Kosova e të cilat sipas tij i zgjidhi gjatë mandatit si i pari i Qeverisë.

“Punët e sodit duhet t’i bëjmë me besnikëri ndaj vendit tonë por edhe me vizion. Nëse nuk punojmë me besnikëri, me dashuri të vërtetë ndaj vendit dhe për qytetarët, i bie që nuk po i shërbejmë Kosovës, nuk po i shërbejmë popullit tonë, por sipërfaqësisht”.

“Ne duhet të jemi populli i Kosovës. Kemi kryer punë me besnikëri, jo me hile. Kosova ishte në rrezik të copëtohet, ishte në rrezik të ndodhë lëvizje e kufirit. Ishim në rrezik të ktheheshim më 16 shkurt 2008 por e tejkaluam. Kosova ishte në rrezik me u mbajt pezull padrejtë, për ushtrinë e vet. E tejkaluam, e kemi ushtrinë tonë. Kosova ishte në rrezik që disa pasuri të veta të bëhen të përbashkëta me fqinjin tonë, si rasti i Trepçës. Janë 100% të Kosovës. Shteti ynë ishte në rrezik të mbetej veç si konsumator që blen mallin e huaj e që punojmë për të tjerët”.

“Definitivisht kemi treguar që kemi vetëdije dhe kemi mend. Dimë me vendos në përputhje me të drejtën tonë. Nëse kemi ditë t’i bëjmë këto punë pa hile ndaj vendit, me shumë sakrifica, atëherë po ju pyes: ‘a dimë ta bëjmë edhe zhvillimin ekonomik, ta përmirësojmë shëndetësinë, arsimin, ta luftojmë korrupsionin. Dimë dhe mundemi”, tha Haradinaj, transmeton klan kosova.

Ai në fund kërkoi përkrahjen e qytetarëve të Podujevës më 6 tetor, kur edhe mbahen zgjedhjet për Kryeministër.