​Ambasada e re SHBA-së, sekretet arkitektonike të ndërtesës që shpreh përkushtimin ndaj Kosovës

Në përvjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 4 korrik të këtij viti në Prishtinë u bë përurimi i ndërtesës së re të Ambasadës amerikane, e cila konsiderohet manifestim fizik i një partneriteti të qëndrueshëm në mes të SHBA-së dhe Kosovës.

Ky objekt gjigant i Ambasadës amerikane në Prishtinë, që është edhe më i madhi në Ballkan, u projektua nga David Brody Bond Architects and Planners.

Departamenti Amerikan i Shtetit konsolidoi misionin e tij diplomatik në Kosovë në një lokacion të  ri prej 5 hektarësh në lagjen “Arbëria”. Në një hapësirë të sigurt e të qëndrueshme, ndërtesa e Ambasadës amerikane përfaqëson përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës.

Ambasada Amerikanë në Kosovë nuk është krejt e zakonshme, meqë aty nuk është vetëm vendi ku do të pajisen me viza, por ka edhe rezidencë për trupat e Marinës amerikane.

Kampusi i Ambasadës Amerikanë përbëhet nga një kullë afariste pesëkatëshe, qendra të konferencave, rezidenca e marinsave dhe depo të integruar.

Dizajni i kullës ka fasadën veriore dhe perëndimore që kryesisht janë të ndërtuara nga guri, me dritare të futura në brendësi, ndërsa fasada jugore dhe lindore është me qelq, me sistem të jashtëm të strehës nga dielli.

Menjëherë të hyrja zyrtare e këtij objekti, sheh që për ndërtim janë përdorur gurë nga Gjakova.

Tutje, vërehet cilësia dhe ndërthurja e artit dhe zanatit vendor, sidomos modelet me ndikim organik të materialit tradicional kosovar, e që pati ndikim në dizajnin e paneleve me vrima për mbrojtje nga dielli në fasadat e pavijonit të konferencave.

Kombinimi i kulturës tradicionale kosovare me atë amerikane shpreh qëllimin diplomatik të ambasadës, që është të respektojë kulturën lokale të vendit nikoqir dhe të jetë mikpritëse për të gjithë popullin e Kosovës.

Pjesa e brendshme e objektit të ambasadës është dizajnuar për të mundësuar sa më shumë bashkëpunim dhe për lehtësimin e diplomacisë bashkëkohore dhe transparente.

Mjedisi i brendshëm për punë është i përbërë nga hapësira e qëndrueshme që mundësojnë përformancë të lartë dhe në varg të konfiguracioneve.

Zeinah Salahi, Deputy Director, USAID

“USAID-i po përpiqet të rrisë përgjegjshmërinë në të gjithë Kosovën, si për qeverinë ashtu edhe njerëzit. Për ne kjo do të thotë të punosh në përmirësimin e institucioneve, të ndihmosh Kosovën për të ndërtuar një themel të fortë demokratik, të shikosh sundimin e ligjit dhe të rritësh transparencën për të gjithë. Ne gjithashtu po mundohemi të rrisim mundësinë për të dyja mundësitë demokratike dhe ekonomike për tërë Kosovën. Për ne kjo do të thotë të ndihmojmë për të ndërtuar politika të njëjta në të gjithë institucionet e qeverisë, duke kërkuar të ndërtojmë një mjedis që mbështet një sektor të fortë privat, biznes dhe klimë investimesh për të gjithë njerëzit që vijnë dhe investojnë në këtë vend të bukur. Dhe mbi të gjitha na ndihmon të investojmë në rininë, duke shkaktuar pa rininë se cila është e ardhmja”.

Ambasada ka koleksionin e përhershëm të artit, i mbikëqyrur nga Zyra e Artit dhe i cili përfshin 25 vepra artistike të punuara në format të ndryshëm; piktura, argjilë, xham, çelik, dru dhe fotografi të krijuara nga artistë amerikanë dhe kosovarë, shkruan kp.

Në këtë formë tregohen  lidhjet kulturore ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

Ka diçka shumë të veçantë, ajo është vepra artistike e amerikanes Diana Al Hadid, e cila është frymëzuar nga ura e gurit në Prizren.

Një vepër masive e vendosur në mur, shtresë-shtresë që të jep përshtypjen se po pikon. Ajo është punuar me material nga lesh xhami, gips polimeri, suva dhe pigmenti.

Vëmendjen ta merr edhe një spirale sinkronike. Është nga amerikania Margo Sawyer, e sjell veprën e punuar me xham të ngjyrosur me dorë. Ajo sjell dritë dhe ngjyrë në tarracën e ambasadës.

Margo Sawyer me veprat e saj hulumton marrëdhënien midis hapësirës dhe përsosmërisë, vendeve ku arkitektura dhe rituali takohen për të krijuar cilësi të përsosmërisë që nxit vështrimin brenda vetë vizitorit.

Ngjyra është ajo që veçohet në veprat e saj. E vepra në ambasadën amerikane është frymëzuar nga dizajnet e brendshme dhe motivet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

“Për mua kjo pjesë është një pjesë revolucionare për praktikën time artistike, diçka që nuk e kam bërë kurrë, diçka arkitektonike në xham, dhe kam punuar me një kompani që bën xham arkitektonik, dhe është bërë në mënyrë tradicionale siç bëhet qelqi i njomur,  lyhet xhami, flakërohet dhe ngjyra bëhet pjesë e qelqit, janë dy shtresa të ngjyrës dhe anët që bëjnë një spirale , spiralja ishte shumë e rëndësishme për sa i përket natyrës së saj simbolike, ajo ngjan përsëri me mesin e bibliotekës dhe është një lloj qendre shpirtërore e individit dhe komunitetit, por gjithashtu simbolizon hapësirën dhe përfshirjen e të gjithëve. Pjesa quhet Synchronicity of Color për Kosovën”.

Këto punime, si dhe punimet e tjera në koleksion janë dëshmi e aftësisë së artit për të transformuar marrëdhënien ndërmjet individit dhe hapësirës, për të tejkaluar pengesat gjuhësore dhe për të ndërtuar lidhje ndërmjet njerëzve.

Derisa e shikon objektin nga jashtë e kupton se si ambasada është vendosur në një peizazh të pjerrtë dhe e fokusuar kah një pellg i madh. E kjo e minimizon ndikimin pamor të strukturave nga rrugët e afërta urbane dhe zvogëlon shpenzimet për fasadë dhe energji.

Lokacioni ku u ndërtua ambasada e re e Amerikës u dhurua nga Komuna e Prishtinës  me të drejtë shfrytëzimi për 99 vite.

Departamenti Amerikan i Shtetit synoi një dizajn ndërtimor që tejkalonte standardet e qeverisë amerikane për siguri të dizajnëve të misioneve diplomatike, për një ndërtesë mikpritëse, transparente, të sigurt dhe të shquar që nënvizon vlerat e lirisë dhe demokracisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shtetet e Bashkuara së pari hapën Zyrën e Shërbimit Informativ të SHBA-së në Kosovë, në vitin 1996. Kjo zyrë në Prishtinë ka vepruar në cilësi të misionit diplomatik të Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

Prej vitit 1996, investimet amerikane në Kosovë janë rritur dukshëm, me vendosjen e misionit të përhershëm diplomatik në vitin 1999, që u pasua me krijimin e Ambasadës amerikane në Kosovë në vitin 2008 kur edhe u shpall pavarësia e Kosovës.