Policia e arsimi në pesë komuna të rajonit të Ferizajt merren vesh për masat rreth sigurisë në shkolla

Zyra Rajonale për Informim e Policisë në Ferizaj, përmes një komunikate për media njofton për marrëveshjen e policisë me subjektet arsimore të pesë komunave të rajonit të Ferizajt në lidhje me masat për rritjen e sigurisë nëpër shkolla.

Në njoftim thuhet se në kuadër të krijimit të partneritetit në mes të policisë dhe segmenteve të tjera të shoqërisë, drejtori i Drejtorisë rajonale të Policisë në Ferizaj,kolonel Emin Beqiri me stafin e tij zhvilluan dje një takim pune me drejtorët e drejtorive komunale të arsimit si dhe drejtorët e shkollave të mesme të pesë komunave të rajonit të Ferizajt.

Qëllimi i këtij takimi ishte përmirësimi i gjendjes aktuale si dhe ndikimi pozitiv në parandalimin e dukurive negative, duke ngritur masat e sigurisë dhe prezencën policore si dhe shtimin e aktiviteteve të saj me partnerët e përbashkët.

Pas diskutimeve lidhur me këtë temë,pjesëmarrësit në këtë takim u morën vesh që të gjejnë rrugë dhe mundësi që të sigurohet (në ato shkolla ku nuk ka deri tani) rregullimi i rrethojave të oborreve shkollore, vendosja e kamerave, sigurimi i uniformave për nxënësit si dhe angazhimi i rojeve fizike, me qëllim që nxënësve t’ju ofrohet siguri më e madhe në shkolla dhe rreth tyre.