Shtëpia e 60-vjeçarit nga Karaçeva që rrahu djalin për vdekje, shndërrohet në kazino

As Projektligji që ndalon lojërat e fatit nuk po mund të ndalojë funksionimin ilegal të kazinove në Kosovë.

Në mars të këtij viti, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për mbylljen e lojërave të fatit, me ç’rast kishte miratuar edhe Projektligjin që ndalon veprimtarinë e tyre në territorin e Kosovës.

Mirëpo, pavarësisht këtij vendimi, në Kosovë ende vazhdojnë të funksionojnë kazinotë në mënyrë ilegale.

Lajmi.net mëson se tri kazino në mënyrë ilegale janë duke funksionuar në Kamenicë, përkatësisht në brezin kufitar me Serbinë.

Këto kazino janë të vendosura në mes të fshatit Novosellë dhe Karaçevë e Poshtme apo siç njihet ndryshe nga banorët e asaj pjese si “Reka e Karaçevës”, në pjesën ku Policia e Kosovës dhe as KFOR-i nuk kalon për shkak të vendosjes së “By Pass-it”, nga KFOR-i.

Në bazë të informacioneve që ka lajmi.net, një prej tyre është ndërtuar që nga fillimi, ndërkaq dy objektet e tjera kanë qenë edhe në të kaluarën.

Njëri prej tyre kishte funksionuar si restorant kohë më parë, ndërkaq njëra kazino është hapur në shtëpinë ku dikur e kishte ndërtuar duke kërkuar lëmoshë, Gani Bërnjashi.

Gani Bërnjashi është 60-vjeçari nga Karaçeva e Poshtme i cili në mënyrë brutale, duke e rrahur me shkop kishte vrarë djalin e tij 14-vjeçar, Luan Bërnjashin, në maj të vitit të kaluar.

Për vrasjen e të birit, Gjykata Themelore në Gjilan e kishte dënuar Bërnjashin me 25 vjet burg.

Duhet theksuar, se krimin të cilin e bëri Bërnjashi ndaj djalit të tij nuk është bërë në këtë shtëpi që tashmë është shndërruar në kazino, por në një shtëpi tjetër ku ata jetonin në fshatin Karaçevë të Poshtme.

Lajmi.net, ka dërguar pyetje në drejtim të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë si dhe në Policinë e Kosovës, nëse janë në dijeni për veprimtarinë e këtyre kazinove, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje për ditë të tëra.

Më poshtë ju sjellim fotografitë të cilat janë bërë gjatë një mbrëmje, ku edhe shihen vetura të shumta në këto kazino.