Korab Sejdiu konfirmon: Nuk garoj për deputet në këto zgjedhje

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu ka konfirmuar për Gazetën Express se nuk do të garojë në asnjë listë për deputetë në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Sejdiu i cili ishte pjesë e AKR-së, u shkëput nga grupi parlamentar për të vazhduar si i pavarur në grupin parlamentar të LDK-së në legjislaturën e gjashtë.

Ai tha se për arsye personale nuk do t’i futet garës për deputet.

“Nuk do të kandidoj për deputet në asnjë listë zgjedhore, për arsye personale, sepse nuk do të mund t’i përkushtohem punës së deputetit 100 për qind”, ka thënë Sejdiu.

Sejdiu ka thënë se ka pasur oferta nga LDK-ja dhe Vetëvendosje për të qenë në listën e tyre për deputetë por që ka vendosur të mos kandidojë.

“Kam pasur ofertë nga LDK-ja dhe Vetëvendosje, i vlerësoj shumë të dy ftesat nga të dy partitë. Por kam vendosur që të mos i futem garës për deputet në këto zgjedhje”, është shprehur Sejdiu.