Mustafa thotë se letra e Kurtit s’kishte qëllim të mirë

Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, ka thënë se letra e kryetarit të VV-së, Albin Kurti, në ditën e fundit të afatit për zyrtarizime të koalicioneve parazgjedhore, nuk ka pasur qëllim të mirë.

Sipas tij, Kurti me propozimin që LDK-së t’i takonte prijësi i listës e VV-së përfaqësuesi i koalicionit dhe kush merr më shumë vota bëhej kryeministër, ka qenë nxitje për garë të brendshme.

“Ne nuk futemi në zgjedhje me bërë garë të brendshme në mes të LDK dhe Vetëvendosjes. Si ide është jo funksionale, totalisht jo funksionale. Nuk mund t’u themi votuesve të LDK-së mos votoni për Albin Kurtin e atyre të Vetëvendosjes mos e votoni Vjosa Osmanin. Propozimi, letra e hapur që e kanë dërguar nuk ka pasur qëllim të mirë, ajo ka treguar se puna e koalicionit ka përfunduar dhe ne po shkojmë në zgjedhje vetë. Si propozim i tillë edhe ata, edhe ne e kemi ditur që nuk funksionon”, ka thënë ai.

Mustafa ka thënë se nëse LDK-ja nuk del e para në zgjedhje, nuk do të kërkojë nga askush postin e kryeministrit.

 20:59

Mustafa: Dihej që në koalicion me VV-në kryeministri duhej t’i takonte LDK-së

Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, ka thënë se e ka pasur gjithmonë në ndërdije se në një koalicion parazgjedhor mes partisë së tij dhe Vetëvendosjes, kandidati për kryeministër do të duhej t’i takonte LDK-së.

Ai ka thënë se LDK-ja e ka merituar të ketë kandidatin në rast të koalicionit parazgjedhor për shkak se ka qenë grupi më i madh parlamentar dhe se qeveris me numrin më të madh të komunave.

“Nuk kemi pasur dallime të mëdha sa i përket programit, madhësisë së qeverisë, numrin të ministrave, zv kryeministrave. Problemi ka lindur në fund lidhur me kandidaturën e kryeministrit. Në ndërdijen time ka qenë gjithmonë se ne duhet ta kemi sepse kemi qenë grupi ma i madh parlamentar, kemi qeverisur numrin më të madh të komunave. Ajo që z. Kurti të jetë kandidat për kryeministër mund të jetë disponim dhe kërkesë e Vetëvendosjes dhe është krejtësisht legjitime mirëpo në asnjë moment nuk do të hyja në koalicion parazgjedhor ku di të rreshtohesha i dyti”, ka thënë Mustafa në Rubikon.

“Nuk kam menduar as që është çështje që duhet të bëhet e qartë. Sepse nëse një parti që është e para bën marrëveshje me një parti që është e dyta me numrin e deputetëve, s’ka nevojë të hapen këto çështje. Nëse është për interes të vendit, e bëjmë, por duhet bërë në bazë të fuqisë politike”, ka thënë ai më tej.

 20:58

Mustafa s’garon për deputet, fsheh ambiciet për president

Isa Mustafa ka thënë se nuk ka ambicie për post qeveritar, e as për të udhëhequr Kuvendin e Kosovës. Por i ka bishtnuar përgjigjes se a ka ambicie që të ngjitet në krye të shtetit, kur Hashim Thaçit t’i përfundojë mandati i presidentit.

Në Rubikon të KTV-së, Mustafa ka thënë se nuk do të jetë në garë për deputet.

“Kam shprehur dëshirën që të tjerëve t’u lë hapësirë. Nuk kam ambicie të merrem me punë të qeverisë”, ka thënë Mustafa.

Kur është pyetur se nëse do ta mendojë çështjen e drejtimit të Kuvendit apo të bëhet President, Mustafa është përgjigjur vetëm për çështjen e kryekuvendarit.

“Nuk do të futem në listën e kandidatëve për deputetë të LDK-së. Do ta ndihmoj këtë proces, do të mbështes deputetët, do punoj me të tjerët mirëpo nuk do të futem veç formalisht që vetëm t’i marrë votat dhe pastaj të tërhiqem”, ka thënë Mustafa.

 20:46

Mustafa: Si mund ta quajnë Veliun SHIK, kur i ka plumbat në trup

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se dy nënkryetarët e tij në parti, Agim Veliu e Lutfi Haziri nuk mund të quhen SHIK. Ka marrë shkas për këtë fitoret e tyre në zgjedhjet komunale.

“Këto akuza mund të jepen, sepse askush nuk mund t’i ndalë njerëzit të flasin. Por duhet të argumentohet ajo që thuhet. Me çfarë argumentesh e mbështet dikush thënien se Agim Veliu e Lutfi Haziri janë SHIK. Veliu i ka mund prej pavarësisë e deri tani pareshtur. Edhe Lutfi Haziri, bash sos i ka”, ka thënë ai.

Në Rubikon të KTV-së, Mustafa ka insistuar se të dy kanë qenë kundërshtarë të SHIK-ut.

“Si mund t’i thuash Agim Veliut SHIK, kur i ka hangër plumbat në trup. Unë nuk e di prej kujt, por ky për pak ka mundur ta ketë fatin e Xhemajl Mustafës dhe shumë të tjerëve të vrarë politikisht”, ka thënë Mustafa.