Kryesia e LDK’së autorizon Isa Mustafën që ta negociojë koalicionin me Vetëvendosjen

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës sipas burimeve të Gazetës Express pritet që sot ta  autorizojë kryetarin e partisë, Isa Mustafën, që ta negociojë koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit.

Kjo do t’i mundësojë Mustafës që të negociojë për bashkëpunim me partinë e Kurtit, pa pasur nevojë që të marrë qëndrime të strukturave të tjera të partisë.

Siç mëson Express, Mustafa në këto negociata me Lëvizjen Vetëvendosje do të shkojë me qëndrimin e deritanishëm, që posti i kryeministrit do t’i takojë LDK’së.

Një vendim i tillë  që do  t’i hap rrugë Mustafës në negociatat me LVV’në, pritet që të merret sot  pas diskutimeve në takimin e Kryesisë së partisë, në të cilin nuk po marrin fare pjesë Lutfi Haziri e Agim Veliu, pasi që Vjosa Osmani pritet të nominohet si kandidate për kryeministre.

Deri tani posti i kryeministrit ka qenë e vetmja pikë ndarëse ndërmjet LDK-së së Mustafës dhe LVV’së së Albin Kurtit, ndërkohë pritet të shihet se çfarë do të dalë nga negociatat që do të zhvillojnë krerët e dy partive.

Mustafa e Kurti janë takuar disa herë, megjithatë përveç deklaratave për përafrim të qëndrimeve nuk ka pasur ndonjë vendim konkret për bashkëpunim.

Zgjedhjet e parakohshme pritet që të mbahen në fund të muajit shtator apo në fillim të tetorit, pasi që të enjten e javës që po lëmë pas, me shumicë votash deputetët kanë vendosur për shpërndarjen e Kuvendit, vendim ky që e obligon presidentin Hashim Thaçi që të caktojë datën e zgjedhjeve në një afat kohor prej 45 ditësh./GazetaExpress/