Ja kriteret për të emigruar në Kanada

Kanadaja ka njoftuar ndryshime rrënjësore në politikën ndaj emigracionit, duke pranuar për të dytin vit radhazi, 305 mijë emigrantë. Në paketën e miratuar nga qeveria kanadeze, shteti i Amerikës së Veriut do të mirëpresë 75 mijë refugjatë lufte, azilantë politikë nga vende në konflikte , ku 25 mijë prej të cilëve do të jenë sirianë dhe pjesa tjetër, pra 50 mijë, nga vende të tjera në konflikte. Gjithashtu, qeveria miratoi edhe14 mijë bashkime familjare. Sa i përket pjesës tjetër, ata do të jenë studentë me ose pa bursa apo profesionistë e punëtorë të cilët kanë deri në 5 vjet që jetojnë dhe punojnë rregullisht në Kanada. Këta të fundit do të mund të aplikojnë për të marrë statusin e rezidentit të përhershëm në Kanada dhe nënshtetësinë.

Sipas ministrit të Emigracionit, John Mçallum, programi për “Punëtorët e Huaj” ka dështuar dhe shumë kompani kanë shfrytëzuar statusin e tyre për të marrë punëtorë fiktivë duke favorizuar emigracionin e paligjshëm. Ai tha se do të ketë ndryshime edhe në këtë drejtim, sidomos programi i “Punëtorëve të huaj të përkohshëm” ku ka pasur shumë abuzime, sidomos me persona të rekrutuar nga Evropa Juglindore.

Megjithatë, ministri paralajmëroi rregulla strikte dhe për sirianët. Ai tha se çdo sirian që do të hyjë në Kanada do të vëzhgohet për një periudhë të gjatë kohore përpara se të vendoset nëse do të qëndrojë përgjithmonë ose jo. Ministri ndër të tjera theksoi se një program i ri për nënshtetësitë kanadeze pritet të fillojë punën këtë vit. Sipas tij, nuk mjafton vetëm që të kesh punuar 5 vjet rregullisht në Kanada dhe të jesh në rregull me dokumentet për të marrë nënshtetësinë. Ministri shton se çdo individ kandidat për të marrë nënshtetësinë, duhet të jetë adaptuar me kulturën, ligjin dhe jetën në Kanada, diçka që sipas tij nuk e tregojnë dokumentet.