Haradinaj vazhdon fushatën, thotë se Kosova nuk mund të vazhdojë në amulli

Kryeministri i dorëhequr, Ramush Haradinaj, është duke vazhduar fushatën nëpër Kosovë.

Pavarësisht se dha dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe akoma nuk është shpërbërë Kuvendi e nuk janë shpallur zgjedhjet, Ramush Haradinaj, ka nisur të mbajë fushatë nëpër strukturat e partisë së tij.

Gjatë ditës së sotme, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka qëndruar në qytetin e Klinës, ku është takuar me strukturat e partisë së tij, shkruan lajmi.net.

Nga aty, Haradinaj ka thënë se, Kosova nuk mund të vazhdojë në amulli dhe se sipas tij, është koha për epilog.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka shkruar se, përcaktimi i Kosovës për konceptin 100 për qind shtet i mbyllë të gjitha pikëpyetjet.

Postimi i plotë i Haradinajt pa ndërhyrje:

Është koha e epilogut, Kosova nuk mund të vazhdojë në amulli!

Përcaktimi i Kosovës për konceptin 100% shtet i mbyllë të gjitha pikëpyetjet rreth saj dhe qartësohet drejtimi ynë tek aleatët tanë, si shtet serioz dhe partner i vërtetë.

Vetëm kështu i hapet rrugë Kosovës, që tërë energjinë e saj ta përqëndrojë në zhvillim të qëndrueshem, krijim të vendeve të reja të punes dhe investime.

Në vazhdim të takimeve me strukturat e Aleancës, sot në Klinë, pashë nga afër mobilizimin për fitoren e projektit tonë, me vizion të qartë për shtet sovran.