“Poema e Mjerimit” nga Migjeni

Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi, kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi kur shef ftyra të zbeta edhe sy t’jeshilta që t’shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin të tan jetën e vet derisa të vdesin.

e mbi ta n’ajri, si në qesendi, therin qiellën kryqat e minaret e ngurta, profetënt dhe shejtënt në fushqeta të shumngjyrta shkëlqejnë. e mjerimi mirfilli ndien tradhti. mjerimi ka vulën e vet t’shëmtueme, asht e neveritshme, e keqe, e turpshme, balli që e ka, syt që e shprehin, buzët që më kot mundohen ta mshefin – janë fëmitë e padijes e flitë e përbuzjes, t’mbetunat e flliqta rreth e përqark tryezës mbi t’cilën hangri darkën një qen e pamshirshëm me bark shekulluer, gjithmon i pangishëm.

mjerimi s’ka fat. por ka vetëm zhele, zhele fund e majë, flamujt e një shprese t’shkyem dhe të coptuem me t’dalun bese.

mjerimi tërbohet n’dashuni epshore. nëpër skaje t’errta, bashkë me qej, mij, mica, mbi pecat e mykta, t’qelbta, t’ndyta, t’lagta lakuriqen mishnat, si zhangë; t’verdhë e pisa, kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore, kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta edhe shuhet uja, dhe fashitet etja n’epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja. dhe aty zajnë fillin t’marrët, shërbtorët dhe lypsat që nesër do linden me na i mbushë rrugat.