Lindja dhe zhvillimi i të drejtave të njeriut në sistemet demokratike

Parimet kryesore në vende demokratike në përgjithësi janë parime të cilat mbështeten në jetën shtetërore, politike, sociale e juridike dhe paraqesin “themelsinë” e organizimit të një shteti dhe shoqërie.

Demokracia në karakterin e plotë të saj si trajtë e qeverisjes nënkupton qeverisje të ligjshme të sovranit nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur sipas rendit kushtetues dhe rendit juridik të një vendi në përputhje me vullnetin e popullit, e cila megjithatë përmban kufizime të arsyeshme të cilat janë të domosdoshme për të mos abuzuar me pushtetin, pikërisht kjo tregon që kur flitet për demokracinë, ndarja e pushtetit është e pashmnagshme, me qëllim të balansit dhe pavarësisë në mes të pushteteve, pastaj shpërndarjes dhe kontrollit të saj, dhe ndarjes së përgjegjësive për të rezultuar me efektivitet maksimal në funksionalizimin e pushtetit shtetëror, pra të gjitha këto janë premisa të qarta të cilat na tregojnë për natyrën dhe avantazhet e demokracisë si trajtë.

Demokracia është një sistem i cili ndryshe nga sistemet e tjera, në mënyrën më adekuate angazhohet për një shtet të së drejtës i cili mbron të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe me anë të mekanizmave të saj garanton pa kompromis trajtimin, shanset e barabarta si dhe sundimin e ligjit. Mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut me akte juridike fillimin e ka në shekullin e XIII, saktësisht në vitin 1215 me miratimin e Kartes së Madhe të Lirive, dokument ky i cili vë bazën dhe kornizen e përgjithshme mbi të cilën janë hartuar dokumentet tjera pasardhëse.

Karta thekson se askush nuk mund të dënohet, përpos në bazë të një vendimi të bazuar në ligj. Kodifikimi i së drejtës në atë periudhë nuk mbulonte të gjitha fushat dhe kryesisht ligji shihej si e drejtë zakonore. Megjithëse ishte miratuar, mbreti i shmangej në të shumtën e rasteve zbatimit të dispozitave të Kartës qe ishin kryesisht të drejta që bëjnë pjesë në grupin e të drejtave civile e politike. Si akt me të cilin mbrohen të drejtat e njeriut, Karta e Madhe i takon së drejtës Angleze e cila ishte referencë që shërbente edhe për shtetet e tjera Evropiane dhe botërore. Edhe pse vuri një kornizë të përgjithshme Karta e Madhe nuk vlente për të gjithë qytetarët Anglezë, kjo erdhi kryesisht si rezultat i presionit te fisnikerisë feudale mbi Mbretin për shkak të pozites së renduar të tyre.

Pas disa shekujsh, revolucioni borgjez sidomos në France, në tendencë të rrëzimit të monarkive absolute dhe zëvendësimit të tyre me republika demokratike ose monarki kushtetuese, forcojnë poziten e parlamentit si organ që e kufizon plotësisht pushtetin mbretëror. Si organ parlamenti ekzistonte edhe më parë në Angli, që ishte në fillim i njohur me termin “Curia Regis” i cili pastaj u zëvendësua me termin “Parliament”. Pra, ekzistimi i një sistemi parlamentar garanton në masë të madhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Një shtytje tjetër të jashtëzakonshme i ka dhënë edhe themelimi i shkollës të së drejtës natyrore (me themelues Hugo Grotius), sipas së cilës njerëzit lindin me disa të drejta që janë të pacenueshme nga askush. Edhe sistemet moderne të qeverisjes kanë origjinë në këtë doktrinë të së drejtës natyrore. Me demokratizimin e shumë shteteve janë krijuar edhe organizata të cilat në planin ndërkombëtar kujdesen për të drejtat e njeriut.

Kryesisht pjesë e tyre janë shtetet të cilat kanë pasur orientim tradicionalisht perëndimor dhe që garantojnë të drejta civile e politike. Shtetet lindore me një qasje socialiste tjetër të bazuar në garantimin e barazisë para lirisë përbëjnë konceptin e kundërt me shtetet perëndimore. Këto kryesisht nuk jane pjesë e organizatave që bëjnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke u thirrur në sovranitetin e mbrendshëm dhe në kompetencën ekskluzive të shteteve, sipas së cilave ndërhyrjet në territorin e shteteve tjera përbëjnë derogim të sovranitetit shtetëror. Autorët e këtij teksti janë: Rigon Qarkaj dhe Egzon Musa student të vitit të parë në Fakultetin Juridik në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”./Vizioni.info/