Arjen Roben merr vendimin e papritur

Ka pasur shumë spekulime në javët e fundit se ku e do e vazhdojë karrierën Arjen Roben, pas epokës mjaft të suksesshme tek Bayern Munchen.

Por, ditën e sotme, 35-vjeçari ka njoftuar se e ka mbyllur tashmë me futbollin e luajtur.

Në një deklaratë të hapur, Roben shprehet se ky është vendimi më i vështirë për të, ndërsa për median gjermane “Kicker”, diçka të tillë e ka konfirmuar edhe babai i holandezit.

“Kam vendosur që ta mbyll karrierën time si profesionist. Pa dyshim, është vendimi më i vështirë, që më është dashur të marr ndonjëherë në jetë. Një vendim, në të cilin ‘zemra’ dhe ‘mendja’ përplaseshin me njëra-tjetrën.

Dashuria për lojën të jep bindjen se ende mund të përballesh me gjithë botën, përballë realiteti se jo çdo gjë shkon ashtu si ti e do, dhe nuk je më djali 16-vjeçar që nuk e njeh dëmtimin.

Për momentin, jam me shëndet dhe në formë, dhe si një tifoz i futbollit dhe shumë sporteve të tjera, dua të vazhdoj me këtë stil jete edhe në të ardhmen. Kështu që, do më duhet të ndaloj, por më mirë kështu”, shkruan Roben.