Puçi në Turqi: Burg i përjetshëm për 17 persona

17 persona janë dënuar me burgim të përjetshëm nga një gjykatë turke për grushtin e shtetit të vitit 2016. Të pandehurit, mes të cilëve oficerë të lartë të ushtrisë, u shpallën fajtor për vrasjen e 139 personave dhe për tentativë vrasjeje të presidentit Erdogan.

Një gjykatë turke dënoi të enjten me burgim të përjetshëm 24 persona, në një nga gjyqet më të mëdha të mbajtura lidhur me grushtin e dështuar të shtetit të vitit 2016.

Sipas agjencisë së lajmeve turke “Anadolu”, për 17 nga 24 të pandehurit u dhanë 141 dënime të përjetshme për secilin, në lidhje me vdekjen e 139 personave, për shkeljen e kushtetutës dhe për tentativë për vrasjen e presidentit Erdogan.

Mes të dënuarve është edhe ish-komandanti i Forcave Ajrore Akin Ozturk, si dhe vëllai i ish-ambasadorit turk në Holandë, Mehmet Disli. Atmosfera përpara dhënies së vendimit ishte e tensionuar, me shumë njerëz, kryesisht familjarë të personave të vrarë në korrik 2016, që kishin rrethuar gjykatën në pamundësi për të hyrë brenda.

Procesi nisi në maj të vitit 2017 në sallën më të madhe të gjyqit në vend, e krijuar brenda burgut të Sinkanit, në rrethinat e kryeqytetit Ankara. Trupi gjykues dënoi gjithashtu me burgim të përjetshëm në rrethana rënduese ish-këshilltarin ushtarak të presidentit Erdogan.

Koloneli Ali Jazici ishte dënuar gjithashtu me 18 vjet burg në një proces të mëhershëm, sërish lidhur me grushtin e shtetit të 3 viteve më parë. Lidhur me ngjarjen presidenti Erdogan fajëson klerikun mysliman që jeton në Amerikë, Fetullah Gylen, i cili po gjykohet në mungesë.