Këshilli i Ministrave të BE-së kërkon që Kosova të heq taksën, ndërsa shtyn edhe më tej liberalizimin e vizave

Këshilli për Çështje të Përgjithshme në Bashkimin Evropian, mbajti takimin në të cilin u diskutua për zgjerimin e BE-së. Para nisjes së këtij takimi Këshilli i Ministrave të BE-së, ka publikuar një projekt  të konkluzioneve sa i përket zgjerimit. Për vendin tonë,  çështje me shumë rendësi është konsideruar dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë, që po zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së, duke thënë se Prishtina dhe Beogradi duhet më bëjnë më shumë përpjekje për të kontribuuar në këtë proces. Kosovës i është kërkuar edhe heqja e taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës. “Këshilli ndjen keqardhje për vendimin e Qeverisë së Kosovës për vënie të tarifave duke e konsideruar këtë hap si shkelje të Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore. Lidhur me kërkesën 10-vjeçare për liberalizmit të vizave, Këshilli ka theksuar se është në dijeni që procesi i liberalizimit të vizave është proces i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës, mirëpo vendimi për të finalizuar këtë proces është ende në fazën e shqyrtimit. Këshilli i Ministrave të Evropës si shqetësim për vendin ka shprehur  dukurinë e korrupsionit dhe krimit të organizuar duke thënë se  janë çështje që duhen adresuar nga autoritetet e Kosovës. Shqetësim tjetër ka përmendur edhe ndikimet politike në punësime dhe në emërimin e personave të dënuar për krime lufte në pozita zyrtare.