Tri institucione kulturore kërkojnë drejtorë, anulohet konkursi për Muzeun

Muzeu, Teatri Kombëtar i Kosovës, si dhe Trupa Kombëtare e Baletit janë në kërkim të tre personave kompetentë, të cilët do t’i marrin në dorë timonët e këtyre institucioneve përkatëse. Për pozitat e drejtorëve në të tria këto institucione Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit ka hapur konkurse. Por të premten kjo Ministri ka njoftuar se në mungesë të kandidatëve është anuluar konkursi për drejtor të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Në anën tjetër, aplikimet janë mbyllur për pozitën e drejtorit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, si dhe të atij të Trupës Kombëtare të Baletit, shkruan gazeta “Zëri”.

As tre kandidatë që i plotësojnë kushtet nuk aplikuan për drejtor të Muzeut

Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit, duke u bazuar në rekomandimin e Këshillit Drejtues të Muzeut Kombëtar të Kosovës, së datës 11.06.2019, dhe në Rregulloren për Proceduarat e Rekrutimit në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës ka njoftuar për anulimin e konkursit (rekrutim i brendshëm) të shpallur me datën 27.05.2019 për pozitën e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Sipas MKRS-së, ky konkurs është anuluar për shkak të mospërmbushjes së kriterit të kandidatëve aplikues, me më së paku tre kandidatë, të cilët i plotësojnë kriteret për zhvillimin e procedurës së rekrutimit në këtë pozitë.

I kontaktuar nga gazeta “Zëri” Skënder Boshtrakaj, ish-drejtor i këtij institucioni, ka thënë se as ai nuk ka aplikuar për të marrë sërish timonin e Muzeut Kombëtar të Kosovës. Sipas tij, sfidë vazhdon të mbetet statusi i këtij institucioni. “Nuk kam aplikuar dhe nuk planifikoj të konkurroj. Pas 20 vjetëve në detyra të ndryshme në Ministri të Kulturës nuk më duket korrekte ndaj vetes të garoj për një detyrë, të cilën e kam kryer me shumë pasion për tre vjet. Tani në Muze nuk është sfidë zgjedhja e drejtorit, por statusi i institucionit, pavarësia dhe trajtimi i dinjiteteshëm duke filluar nga financimi, punësimi, mirëmbajtja etj”, thekson Boshtrakaj.

Myftari: Dua t’i kthehem punës si regjisor

Edhe afati i zgjatur për 7 ditë për aplikim për pozitën e drejtorit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës ka mbaruar. Sipas MKRS-së, kandidatët e interesuar për këtë pozitë u pritën deri më 12 qershor meqë herën e parë nuk u arrit balanca gjinore dhe etnike mes të aplikuarve.

As Agon Myftari, që është aktualisht drejtor artistik i TKK-së, nuk ka aplikuar për një mandat të dytë. Për gazetën “Zëri” ai deklaroi se ka konsideruar që ka ardhur koha t’i përkushtohet profesionit të tij si regjisor.

“Mendoj se është e rëndësishme dhe moment i duhur që unë t’i kthehem me vrull punës sime parësore si regjisor teatri, ku mendoj se e kam energjinë edhe potencën të kontribuoj maksimalisht në skenën teatrore me punën time parësore si regjisor. Deshëm ose jo, pozitat udhëheqëse ose angazhimet e tjera të pengojnë ne punën krijuese prej artisti, andaj dua t’i përkushtohem regjisë pas një mandati të plotë si udhëheqës artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës”, tha Myftari.

Tutje ai shtoi se konsideron se ky mandat ka qenë një përvojë e mirë, pavarësisht sfidave dhe problemeve që ka TKK-ja. “Shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët për bashkëpunimin e në veçanti publikun që ka shumëfishuar vijueshmërinë në Teatër gjatë këtyre katër vjetëve në dallim me vitet paraprake. Uroj që në këtë pozitë të vijë kushdo që do të kontribuojë edhe më shumë për një teatër siç e meriton publiku ynë”, përfundoi kështu Myftari.

Deri më tani aplikimin e tij e ka bërë publik vetëm regjisori Ben Apolloni.

Brahimaj: Politika të mos i fusë duart në institucionet e kulturës

Më datën 30 të muajit të shkuar MKRS-ja ka hapur edhe zyrtarisht konkursin për pozitën e drejtorit, meqë ish-drejtori i këtij institucioni Ahmet Brahimaj ka dalë në pension. Që nga 1 shkurti i vitit 2019, pas daljes në pension të drejtorit, ushtrues detyre është zgjedhur të jetë Sinan Kajtazi, njëherësh edhe balerin e koreograf i kësaj Trupe. Ky edhe është propozuar nga Baleti i Kosovës për ta marrë detyrën e drejtorit. Për gazetën “Zëri” Ahmet Brahimaj, ish-drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës, tash kryetar bordi, ka thënë se pavarësisht se kush do të zgjidhet drejtor i kësaj Trupe ai është i bindur se brenda këtij institucioni ka njerëz që e njohin dhe e duan baletin e Kosovës. “Dëgjo, unë jam shumë i bindur dhe jam shumë i kënaqur se kemi arritur që Sinani dhe të tjerët, që janë pjesë e Trupës së Baletit, të kenë shumë vlera artistike. Pastaj Sinani ka bërë edhe koreografi dhe njihet si balerin shumë i mirë. Kush më mirë se Sinani ose Kreshniku e balerinë të tjerë aty që janë pjesë e baletit e njohin e do t’i prinin këtij institucioni se ata vetë”, vlerëson Brahimaj.

Sipas Brahimajt, i cili është pjesë e këtij institucioni tash e katër dekada, është e rëndësishme që Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit “të mos i fusë duart brenda këtij institucioni”, siç është shprehur ai. Brahimaj thotë se nëse MKRS-ja nuk do ta dëmtojë Baletin e Kosovës, nuk duhet të ndikojë politikisht dhe përzgjedhja duhet të bëhet me zgjedhjen e lirë./ZERI/