Haradinaj: Obiliqit po i kthehet dinjiteti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në përurimin e Shtëpisë së Kulturës që mban emrin e heroit “ Xhavit Haziri” në Komunën e Obiliqit, me ç’rast u shënua edhe 20 vjetori i Ditës së çlirimit të kësaj komune.  
Kryeministri Haradinaj, para të pranishmëve tha se sot janë bashkuar shumë gëzime dhe të gjitha e kanë rëndësinë e vetë.“Ne përulemi para sakrificës së të rënëve për liri, martirëve tanë.  I kemi biseduar shumë punë që e presin Obiliqin, për të cilat po punojmë. Shumë prej këtyre punëve që dukeshin të largëta ose edhe gati të parealizueshme, sot  e kanë parë dritën falë vendosmërisë së kryetarit Xhafer Gashi”, tha kryeministri Haradinaj duke theksuar se kanë mbetur edhe disa punë për Obiliqin e që, më e rëndësishmja është punësimi.Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri Haradinaj tha se po ecim përpara me projekte infrastukturore, projekte të jetës edhe projekte të ujërave të zeza, por punësimi është kryesorja dhe se i është premtuar Obiliqit, atyre që i kanë shpërngulur nga Shipitulla e në disa lagje, për shkak se janë dëmtuar me zhvendosje, pasi e gjithë Kosova për shkak të tyre përfiton.“Shfrytëzoj rastin që t’iu bëj thirrje udhëheqësve të KEK-ut, që në përputhje me ligjin të mos i harrojmë obligimet që i ka marrë Qeveria e vendit ndaj këtyre banorëve. Ne kishim nevojë për mirëkuptimin e tyre dhe dakordim për gërmim dhe prodhim të energjisë dhe këta banorë e respektuan këtë Qeveri dhe mua. Kemi ngritur tema të interesit nacional që do t’i çojmë përpara mirëpo ashtu si heronjtë tanë ashtu si Xhaviti dhe të tjerë që kanë rënë për liri e kanë ditur se dikush do ta vazhdojë rrugën e  tyre”, tha kryeministri Haradinaj duke shtuar se detyra jonë është zgjidhja e marrëdhënies bilaterale Kosovë – Serbi, e cila siç tha kryeministri Haradinaj nuk nënkupton zgjidhjen e statusit të Kosovës sepse ajo është e zgjidhur dhe as të flasim për territore, por ka mbetur të zgjidhet çfarë marrëdhënie do të kemi.Kryeministri Haradinaj sqaroi se kjo po bëhet për të ecur përpara me një marrëveshje që dihet se çfarë do të bisedohet, në mënyrë që koha jonë të jetë e fokusuar tek punësimi dhe ecja përpara në proceset e rëndësishme të Kosovës. Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, tha se kjo Shtëpi e Kulturës do te thotë mundësi e të gjithë atyre që e duan kulturën, këngën, vallen e teatrin. “Urime qytetarë, ta nderojmë dhe ta mbajmë në zemër heroin tonë kombëtar Xhavit Haziri”, tha ai në fjalën e tij pas inaugurimit të Shtëpisë së Kulturës.
Kryeminsitri Haradinaj, po sot, ka bërë homazhe te pllaka e dëshmorëve të komunës së Obiliqit. ​
Kjo ngjarje është organizuar në shënim të 20 vjetorit të Çlirimit të kësaj komune. /Vizioni.info/