Roli i UNMIK-ut, paqëruajtës apo strehë e agjentëve rus?

Disa ditë më pas nëpër shumë lokacione të Kosovës janë evidentuar mbishkrime nëpër mure të objekteve të ndryshme nëpër Kosovë UNMIK-RUSMIK, si shenjë revolte për rastin në fjalë.

Fillimisht shtrohet pyetja cka kërkoi një zyrtarë I UNMIK-ut, i përkatësisë ruse në protestë duke ju ndihmuar protestuesve serbë të vendosin barrikada për të penguar policinë e Kosovës në punën e tyre?

Nëse UNMIK-u ka deklaruar se Mikhail Krasnoshchekov ishte në detyrë zyrtare ku ai interferoi në punët e Policisë dhe Institucioneve të Kosovës, brenda territorit të shtetit, atëherë ngriten shumë pikëpyetje rreth rolit të UNMIK-ut në Kosovë?

Kjo çështje ngrit edhe shumë e shumë dilema tjera nëse UNMIK-u është duke u bërë strehë e zyrtarëve rus të institucioneve të sigurisë. RTK i dërguar një sërë pyetjesh shefit të UNMIK-ut, Zahir Tanin, por në vend të tij përgjigjet i ka marrë nga zëdhënësja e UNMIK-ut Sanam Dolatshahi.

Këto janë pyetjet për të cilat RTK ka kërkuar përgjigje e pastaj edhe përgjigjet e zëdhënëses së UNMIK-ut.

Pyetjet dhe përgjigjet:

Cili është roli i vërtetë i UNMIK-ut në Kosovë?

Mandati i UNMIK-ut u krijua nga Këshilli i Sigurimit në rezolutën 1244 (1999). Misioni ka për detyrë të ndihmojë në sigurimin e kushteve për një jetë të qetë dhe normale për të gjithë banorët e Kosovës dhe për të çuar përpara stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Për rastin e fundit me zyrtarin rus të UNMIK-ut, shumë media raportuan, duke pohuar se ai ishte një agjent rus, i strehuar në UNMIK ?! Si komentoni këto?

Duke marrë parasysh faktin se OKB tashmë është përfshirë në hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta që kanë të bëjnë me arrestimin dhe lëndimet e dy anëtarëve të tij të stafit, Misioni nuk do të komentojë ose do të karakterizojë detajet që raportohen publikisht, nga çdo burim, në këtë fazë. Sidoqoftë, nuk mund të konstatohet se asnjë provë konkrete deri më tani nuk është dërguar në Kombet e Bashkuara nga policia  e Kosovës dhe autoritetet e tjera të Kosovës. Ne përsërisim se, pavarësisht nga fakte të tjera, është shumë e qartë se të drejtat e pacenueshme të imunitetit të dy anëtarëve të stafit nga arrestimi dhe paraburgimi janë shkelur, së bashku me protokollet e tjera, pavarësisht nga identifikimi i qartë i këtyre personave si staf i Kombeve të Bashkuara. Provat sugjerojnë përdorimin e tepërt dhe të pajustifikuar të forcës nga policët arrestues.

UNMIK-u deklaroi se Krasnoschenkov ishte në detyrë zyrtare! A ishte apo nuk ishte?

UNMIK: Ne e kemi kuptuar se stafi i OKB-së në fjalë, po kryente përgjegjësitë e tyre për të monitoruar dhe raportuar për një situatë të zhvilluar, në përputhje me mandatin e UNMIK-ut.

A është shkelje e pozitës zyrtare nëse një zyrtar i UNMIK-ut merr pjesë në protesta në mbështetje të tyre?

Siç u tha më lartë, ne e kemi kuptuar se stafi i OKB-së në fjalë po kryente përgjegjësitë e tyre për të monitoruar dhe raportuar për një situatë të zhvilluar. Sidoqoftë, nuk mund të konstatohet asnjë provë konkrete që deri më tani është ndarë me Kombet e Bashkuara nga policia e Kosovës dhe autoritetet e tjera të Kosovës.

Nëse zyrtari rus nuk ishte në detyrë zyrtare në atë ditë të caktuar të protestave, a duhet UNMIK-u të heqë imunitetin e tij?

Çdo kërkesë zyrtare për heqjen e imunitetit do të përcillet nga UNMIK-u në Shtabin e Kombeve të Bashkuara. Këto kërkesa do të konsiderohen në përputhje me procedurat e përcaktuara të Kombeve të Bashkuara, në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi. Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2000/47 pjesa 6.1 parashtron çështjet konkrete përkatëse.

A duhet UNMIK-u të paktën të ketë një arsyetim pse Krasnoschenkov ishte me një sharrë me motor me zinxhirë në barrikada, kur në të njëjtën ditë të gjithë stafit u udhëzuan të qëndronin në shtëpi dhe të kufizonin lëvizjen e tyre për shkak të operacionit policor?

UNMIK: Ne e kemi kuptuar se stafi i OKB-së në fjalë po kryente përgjegjësitë e tyre për të monitoruar dhe raportuar për një situatë të zhvilluar, në përputhje me mandatin e UNMIK-ut. Duke marrë parasysh faktin se OKB tashmë është përfshirë në hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta që kanë të bëjnë me arrestimin dhe lëndimet e dy anëtarëve të tij të stafit, Misioni nuk do të komentojë ose do të karakterizojë detajet që raportohen publikisht, nga çdo burim, në këtë fazë. Sidoqoftë, mund të theksohet se informacioni i paraqitur nga Policia e Kosovës në deklaratën e vet të fundit për shtyp nuk është aspak në përputhje me informacionin tonë për ngjarjet dhe asnjë dëshmi konkrete deri më tani nuk është ndarë me Kombet e Bashkuara nga policia e Kosovës dhe autoritetet tjera kosovare.

Nëse UNMIK-u kërkoi nga të gjithë zyrtarët që të qëndronin larg barrikadave, atëherë nga kush e mori Krasnoschenkov udhëzimet për veprimet e tij?

Ju lutemi shihni më lart.

Sipas disa informatave jozyrtare që kemi, qeveria ruse po fillon një hetim në Policinë e Kosovës për rrahjen e Krasnoschenkov. Me çfarë të drejte?

Ju mund të adresoni këtë pyetje tek pala përkatëse.

Si komentoni sloganet që po shkruhen në rrugë UNMIK-RUSMIK?

Neni 19 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 1948, pohon: “Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe shprehjes; kjo e drejtë përfshin lirinë për të mbajtur mendime pa ndërhyrje dhe për të kërkuar, pranuar dhe dhënë informacion dhe ide nëpërmjet çdo mediumi dhe pavarësisht nga kufijtë “.

A ka ndonjë të vërtetë për faktin se agjentët rus po gjejnë strehë tani në UNMIK?

UNMIK: Ju mund të lexoni këtu për detyrat e plota, detyrimet, standardet dhe privilegjet që kanë të bëjnë me të gjithë punonjësit e Kombeve të Bashkuara.

A tregon kjo se besueshmëria e UNMIK-ut ka rënë për tokë dhe UNMIK-u duhet të mbyllë misionin e tij në Kosovë?

UNMIK: Rezoluta 1244 (1999) e Këshillit të Sigurimit e përcaktoi mandatin e pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë dhe rregullimet apo mbyllja kërkon konsensus dhe vendim të Këshillit të Sigurimit.

Siç shihet edhe nga përgjigjet, UNMIK-u është munduar t’i anashkalojë cështjet konkrete për të cilat RTK ka kërkuar përgjigje që e bën edhe më të qartë dyshimin e ngritur këto ditë në mediat kosovare për rolin e UNMIK-ut. Edhe më shqetësues është fakti se si shefi i UNMIK-ut në vend se të hetojë rastin se si punëtori i tij nuk i ka përfillur vendimin e UNMIK-ut që i gjithë stafi që mos të paraqiten në punë atë ditë dhe t’i shmangin lëvizjet për shkak të realizimit të operacionit të Policisë, ai paralajmëron masa ndaj policisë së Kosovë. Tanin deklaroj se “çfarëdo dëmi shkaktuar punonjësve të Kombeve të Bashkuara do të përcillet me përgjigje më të larta diplomatike dhe ndërkombëtare ligjore”. Për asnjë moment ai nuk e ka parasysh dëmin që “zyrtari rus i UNMIK-ut” i shkaktoi institucioneve dhe shtetit të Kosovës. Prandaj pas gjithë këtyre argumenteve lind pyetja , A ka ardhë koha që UNMIK, të përfundojë misionin “mbështetës” dhe “përkrahës” të institucioneve të Kosovës, përdërisa nuk eshtë shëndruar totalisht në “RUSSMIK”?. /RTK/