Një libër i harruar për marrëdhëniet amerikano-shqiptare

Këto ditë organizohen aktivitete të ndryshme me rastin e 100-vjetorit të Konferencës së Paqes në Paris, e cila ishte një ngjarje jetike për shqiptarët, përkatësisht për fatin e Shqipërisë. Mu në këtë kontekst kemi një kthesë në politikën e jashtme amerikane drejt Shqipërisë, pasi që prania e presidentit amerikan Wodrow Wilson në Konferencën e Paqes kishte ndikim të madh. Si i tillë, viti 1919 ka rëndësi historike për orientimin amerikan nga shqiptarët, përkatësisht për njohjen e Shqipërisë dhe shkëmbimin e ambasadorëve e të tjera, shkruan sot Koha Ditore.

Për këtë temë me rëndësi aktuale për ditët tona, mr. Haris Silajxhiç, i cili punonte atëherë në Degën e Orientalistikës në UP, kishte paraqitur disertacionin e doktoraturës në temën “Shqipëria dhe ShBA-ja në arkivat e Washingtonit” në Degën e Historisë (UP), të cilën e mbaroi në bazë të hulumtimeve në arkivat amerikane.

Më në fund, H. Silajxhiq e mbrojti me sukses disertacionin më 1985 dhe e botoi në Sarajevë në gjuhën boshnjake më 1991, pra pasi u kthye në Sarajevë dhe u bë ministër i Punëve të Jashtme (1990-1993), kurse temën e magjistraturës “Lëvizja Kombëtare Shqiptare në shtypin e Bosnjë-Hercegovinës” e botoi më 1995 kur ishte kryeministër i vendit. Libri që na intereson tani për marrëdhëniet amerikane shqiptare u përkthye në shqip dhe doli në Tiranë më 1999, pra në atë vit vendimtar për Kosovën pasi ShBA-ja luajti rolin kryesor për luftën e 1999-s për ta detyruar Serbinë që t’i tërheqë forcat e saj pas masakrave kundër shqiptarëve që u bënë në Kosovë.