Kosova bëhet gati t’i vendos taska edhe Shqipërisë

Mbledhjet e përbashkëta Shqipëri – Kosovë, në vend të rezultateve, kanë prodhuar një luftë të re tregtare, e cila me gjasë, sipas lajmërimeve të Kosovës, do të nisë më 1 korrik. Shqipëria duhet të plotësojë 6 kushte në lehtësimin e procedurave dhe tarifave me Kosovën, në të kundërt do ta vërë Shqipërinë të njëjtat barriera gjatë vitit. Rukiqi: Ndihemi të përçmuar në Shqipëri, percjell INA.

Tani, pas pesë vitesh kur duhet të korrnim rezultatet e vendimeve nga mbledhjet e përbashkëta Shqipëri-Kosovë për bashkëpunim në fushën e tregtisë dhe aspekteve të tjera kombëtare, gjithçka mori kthesë të kundërt 10 ditë më parë, kur grupet e punës në takimin e Tiranës e fokusuan debatin te rikthimi i barrierave të reja tregtare. Në vend të lehtësimeve, është shfaqur një konflikt i ri tregtar përtej përmasave të retorikës politike.

Nëse qeveria e Shqipërisë, deri më datën 1 korrik 2018, nuk heq masat e përkohshme tarifore ndaj importeve të Kosovës, konkretisht ndaj patates, birrës, qepës dhe gjithashtu të lehtësojë pagesat nga tarifa e skanimit dhe Rrugës së Kombit, dhe disa certifikuara fitosanitare, Kosova do t’i kthehet reciprocitetit, duke rritur kostot ndaj eksporteve të Shqipërisë në Kosovë. Zv.kryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ishte mjaft i acaruar kur tha se ne jemi gati që për 24 orë të plotësojmë të gjitha kërkesat e bizneseve shqiptare për eksport në Kosovë, por pala shqiptare ka 5 vite që po zvarrit bashkëpunimin vetëm në aspektin teorik, pa marrë asnjë masë konkrete.

Berat Rukiqi, kryetari i Dhomës së Tregtisë së Kosovës, tha se prej dhjetë vitesh flitet për pengesat e vëna nga Shqipëria dhe përmirësime nuk ka.
“Në asnjë rast, s’ka pasur asnjë grup interesi që kanë penguar një produkt të Shqipërisë të vijë në Kosovë. Nëse dikush nga Shqipëria ka dashur të hyjë në Kosovë, është favorizuar madje. Në gjithë këta sektorë, ne kemi pasur problem të hymë në Shqipëri. Me shumë telashe, për shkak të fuqisë financiare, ndoshta ka depërtuar birra. Ndonjë produkt i ushqimit, por jo në prezencë pa probleme. Edhe te birra sot flasim për barriera, edhe te mielli”, ka thënë ai.

Të njëjtin shqetësim ndau edhe kryetari i Dhomës së Tregtisë së Tiranës, Nikolin Jaka, i cili pohoi se qeveria e Kosovës ka qenë më e disponueshme për plotësimin e kërkesave të bizneseve shqiptare, ndërsa pala jonë nuk po përparon, ndërsa taksa në Rrugën e Kombit duket se ka rritur më tej kostot për tregtinë ndërmjet dy shteteve të të njëjtit komb.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave të Kosovës dhe të përpunuara nga “Monitor”, për periudhën janar-prill 2019, Kosova importoi nga Shqipëria mallra me vlerë rreth 66 milionë euro, me rritje 66%, ose 24.5 milionë euro më shumë, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në vlerë absolute, Shqipëria ka rritjen e pestë më të lartë të eksporteve, pas Turqisë (+29.6 milionë euro), Greqisë (27 mln euro), Gjermanisë (21.5 mln euro), dhe Maqedonisë (24.7 mln euro). Ndërsa Kosova eksportoi në Shqipëri gati tre herë më pak mallra me vlerë 17 milionë euro, ose 8% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Ndërkohë që qeveria shqiptare, nëpërmjet ministres së Financave, Anila Denaj, ka premtuar se do të zgjidhë pakënaqësitë e bizneseve nga Kosova, duke përfshirë edhe tarifat e skanimit dhe ato të Rrugës së Kombit, kompanitë koncesionare pranojnë çdo zgjidhje nëse kompensohen nga buxheti i shtetit.

Shqipëria, afat deri më 1 korrik, ja 6 kushtet që duhet të plotësojmë

Deri më 1 korrik, qeveria duhet të lehtësojë tregtinë me Kosovën sipas angazhimeve që ka marrë në mbledhjet e përbashkëta, ndryshe qeveria e zotit Ramush Haradinaj do të nisë aplikimin e barrierave tregtare të ngjashme me ato të Serbisë.

Së pari, kërkohet që të hiqet barriera për importet me akcizë për birrën e Kosovës. Birra e Kosovës duhet të paguajë akcizë të njëjtë edhe mbi sasinë 200 hektolitër. Sipas legjislacionit doganor shqiptar, përllogaritja e detyrimit të akcizës në rastin e prodhuesit nën 200,000 hektolitër në vit është 15,12 lekë për litër. Në rastin e prodhuesit mbi 200,000 hektolitër në vit, akciza e birrës është 29,82 lekë për litër.

Së dyti, qeveria e Shqipërisë duhet të heqë barrierat tregtare të përkohshme ndaj patateve dhe qepëve që vijnë në tregjet e kësaj nga Kosova. Që në vitin 2012, qeveria e zorit Berisha miratoi masa mbrojtëse shtesë, duke rritur tarifat doganore për pataten dhe qepën nga Kosova në kulmin e sezonit të prodhimit vendas. Masat u aplikuan pasi patatet dhe qepët nga Kosova hynin me kosto më të lira dhe konkurronin prodhimet shqiptare.

Së treti, Shqipëria duhet të heqë masat penguese për sasinë e miellit që futet nga Kosova, si për kufizimet në sasi, si për njohjen e certifikatave që e shoqërojnë.

Së katërti, qeveria e Kosovës ka kërkuar njësimin e certifikatave fitosantirae për produktet e prodhuara në Kosovë që tentojnë të eksportohen në Shqipëri. Sipas një studimi të qendrës shqiptare të eksporteve, një biznesi nga Kosova i kushton një certifikatë fitosanitare në Shqipëri 15 euro, por për eksportin e disa artikujve ushqimorë njëherësh kostoja rritet shumë. Bizneset e Kosovës kërkojnë që certifikata fitosanitare e Kosovës të njihet edhe në Shqipëri.

Së pesti, qeveria e Kosovës ka kërkuar heqjen e tarifës së skanimit për bizneset e Kosovës. Burimet nga Oda e Tregtisë së Kosovës thanë se, kjo tarifë e miratuar nga Parlamenti shqiptar duhet t’i shtrijë efektet vetëm brenda territorit shqiptar dhe nuk duhet të penalizojë mallrat tranzit që janë për në Kosovë. Shpesh, një kamion që ka pesë artikuj të ndryshëm duhet të paguajë mbi 100 euro tarifa skanimi. Kjo tarifë bashkë me pagesat e tjera në Rrugën Kombit e kalon vlerën emalit.

Së gjashti, qeveria e Kosovës i ka kërkuar Shqipërisë të lehtësojë tarifën e pagesës në Rrugën e Kombit për kamionët nga Kosova me 22.5 euro. Berat Rukiqi nga Oda e Ekonomisë së Kosovës, pohoi se, këto tarifa e kanë pozicionuar Shqipërinë si vendin me vështirësitë më të larta pas Serbisë për të eksportuar.

Kosova ka suficit tregtar në Shqipëri në eksportin e patateve dhe Birrës. Sipas të dhënave nga doganat e Kosovës, nga janari 2018 deri në maj 2019, Shqipëria importoi 1,3 milionë euro birrë nga Kosova, ndërsa eksporti në Kosovë ishte vetëm 113 mijë euro nga produkti. Në produktet e birrës, Shqipëria i ka importet 1000 herë më të larta se eksportet. Birra është një nga mallrat më të eksportuara të Kosovës në Shqipëri, aq sa për disa prodhues nga Shqipëria po shndërrohet në një kërcënim serioz.

Gjatë kësaj periudhe u importuan nga Kosova patate me vlerë 1,3 milionë euro, ose 189% më shumë se sa eksportet e patateve tona në Kosovë. Ndërsa në rastin e tregtisë së qepës, për të cilën pala kosovare po ndeshet me barriera, shihet se Shqipëria është suficitare, pasi gjatë periudhës janar 2018-maj 2019, eksportoi në Kosovë qepë me vlerë 132 mijë euro ose 97% më shumë se importet e këtij produkti nga Kosova në Shqipëri.
Produkti me vlerën më të lartë të importit nga Kosova është mielli. Gjatë janar 2018-maj 2019 u importua miell me vlerë 2.3 milionë euro, ndërsa mielli që u eksportua nga Shqipëria në Kosovë po në këtë periudhë kishte vlerën vetëm 111 mijë euro.

Gjatë periudhës janar-prill 2019, sipas të dhënave mbi tregtinë e jashtme me INSTAT, suficiti tregtar i Shqipërisë me Kosovën u zgjerua më tej. Eksportet në Kosovë arritën në 6.7 miliardë lekë, me një rritje prej 52%, kryesisht për shkak të rritjes së eksporteve të naftës dhe hekurit. Ndërsa importet nga Kosova ishin 2.1 miliardë lekë me një rënie 8,3% në raport me 4-mujorin e vitit 2018.

Nëse kushtet nuk plotësohen, masa shtesë të Kosovës

Burimet nga Oda Ekonomike e Kosovës thonë se nëse pala shqiptare nuk zgjidh brenda muajit qershor kërkesat për të cilat parimisht është rënë dakord, qeveria e Kosovës do të marrë masat e reciprocitetit.

Kjo do të thotë se për produktet shqiptare më të eksportuara në Kosovë, hekuri, nafta dhe çimento do të aplikohen masa shtesë në procedura dhe tarifa. Ndërsa do të rishikohet vënia e një takse të posaçme në Rrugën e Kombit në pjesën e Kosovës për kamionët shqiptarë.

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë nuk kanë dhënë shumë detaje me pengesat që po hasin bizneset e Kosovës në Shqipëri. Në një përgjigje për “Monitor” në këtë institucion, thonë se kanë pranuar shumë kërkesa për pengesat që po hasin bizneset. “Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka pranuar kërkesa konkrete nga kompanitë vendore lidhur me barrierat që i hasin në rast të eksportit në Shqipëri. Barrierat tregtare janë diskutuar në nivel dypalësh teknik dhe politik, por asnjëherë shumica prej barrierave nuk kanë marrë zgjidhje të përhershme”.

Kurse, nga zyra e zëvendëskryeministrit dhe koordinatorit kombëtar të dy qeverive, Fatmir Limaj, kanë thënë se disa nga marrëveshjet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë zbatuar dhe disa do të zbatohen deri në fund të muajit qershor. “Sa i përket marrëveshjeve Kosovë – Shqipëri nga mbledhja e mbajtur në Pejë mes dy qeverive më 26 nëntor të vitit të kaluar, siç ka deklaruar edhe Koordinatori Kombëtar i dy qeverive, Fatmir Limaj, të gjitha marrëveshjet janë në realizim e sipër. Nga mbledhja e fundit koordinuese e dikastereve përkatëse për realizimin e marrëveshjeve, të dyja palët janë zotuar se deri në fund të muajit qershor, do të nisin së zbatuari të gjitha marrëveshjet”, thuhet në përgjigjet e zyrës së Limajt.

Limaj ka ftuar qeverinë dhe bizneset shqiptare që të bëjnë listën nëse kanë ndonjë barrierë nga ana e Kosovës për të bërë biznes në Kosovë, në mënyrë që të eliminojnë ndonjë barrierë eventuale. Ai ka kërkuar edhe heqjen e skanerit për kontrollin që iu bëhet bizneseve kosovare që kalojnë në Shqipëri, e që iu shkakton kosto shtesë bizneseve. Për këtë çështje, ditë më parë është deklaruar edhe vetë shefi i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj. Në një konferencë për media, Haradinaj ka thënë se shpreson që të zgjidhen problemet e tregtisë që Kosova ka me Shqipërinë, dhe nuk ka mohuar nëse do t’i vendoset taksë edhe Shqipërisë.Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës thotë se Shqipëria dhe Kosova, duke pasur parasysh afërsinë gjeografike, kulturore dhe historike, do të duhej të bashkëpunonin shumë më fuqishëm në aspektin politik dhe ekonomik.
Ai ka thënë se Shqipëria është tregu më ideal që Kosova të eksportojë mallra, por sipas tij, pengesat e kanë bërë atë si shtetin më të vështirë për eksport.

Sipas tij, për një kohë të gjatë pengesë kryesore ka qenë infrastruktura rrugore, e cila tashmë është tejkaluar me Autostradën e Kombit.
“Tejkalimi i kësaj barriere nuk mjaftoi për të rritur bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar. Në pah dolën barrierat burokratike dhe ato mentale të bashkëpunimit. Te barrierat burokratike kemi një kohë të gjatë vendosje të pengesave, sidomos për produktet ushqimore dhe të ngjashme nga ana e autoriteteve nga Shqipëria, duke përfshirë këtu mosnjohjen e dokumenteve, taksat sezonale dhe diskriminim përmes kontrolleve kufitare dhe të inspektorateve të ndryshme. Në anën e barrierave mentale vlen të theksohet që kemi një mungesë besimi te prodhimet nga të dyja vendet, në të dyja tregjet”

Kryetari i OEK thotë se në Kosovë dhe në Shqipëri, u besohet më shumë u besohet prodhimeve nga vendet tjera të rajonit. Rukiqi shton se tregtarë të ndryshëm në Shqipëri kanë ndikuar në krijimin e perceptimit negativ për prodhimet kosovare, sidomos duke krijuar përshtypje që çdo gjë nga Kosova është jocilësore.

“Shqipëria për ne si treg është tregu më potencial për të eksportuar. S’mund të llogarisim se kemi treg më të mirë. Për shumë arsye, aspekti gjeografik, lidhjen politike, infrastrukturën, portet. Por s’po arrijmë të kalojmë nivelin eksport-import, 270 milionë në total, aq sa në kushte normale është niveli i dy kompanive që mund të këmbejnë mallra mes vete”. Politika dekurajuese e Shqipërisë ndaj mallrave të Kosovës, sipas Rukiqit, vlen për të gjithë sektorët.

“Në asnjë rast s’ka pasur asnjë grup interesi që kanë penguar një produkt të Shqipërisë të vijë në Kosovë. Nëse dikush nga Shqipëria ka dashur të hyjë në Kosovë është favorizuar madje. Në gjithë këta sektorë ne kemi pasur problem të hymë në Shqipëri. Me shumë telashe, për shkak të fuqisë financiare, ndoshta ka depërtuar birra. Ndonjë produkt i ushqimit, por jo në prezencë pa probleme. Edhe te birra sot flasim për barriera, edhe te mielli”, ka thënë ai.

Rukiqi ka thënë se nuk ka vullnet për t’i rritur shkëmbimet tregtare Kosovë-Shqipëri, pavarësisht kapaciteteve Ai thotë se prej dhjetë vitesh flitet për pengesat e vëna nga Shqipëria, pasi nuk ka përmirësime. “Në vend që ne të diskutojmë për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik Kosovë-Shqipëri, po diskutojmë për barriera. 10 vite të raporteve ndërshtetërore, duke ditur që Kosova e ka shpallur Pavarësinë më 2008, si raporte ndërshtetërore 10 vite, apo një dekadë e këtyre raporteve në kuptimin ekonomik e në aspektin e bashkëpunimit tregtar dhe të investimeve është dekadë e barrierave”.
Ai i ka kritikuar edhe institucionet e Kosovës, për mosangazhim për t’i zgjedhur pengesat për bizneset që duan të eksportojnë në Shqipëri.

Edhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës, përmes një reagimi, i ka bërë thirrje Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për heqjen e të gjitha barrierave tregtare që prodhuesit e Kosovës po hasin gjatë eksportit të produkteve të tyre në tregun shqiptar. “Për prodhuesit e Kosovës është e papranueshme që pengesa të tilla të jenë ende të zbatueshme për ta, edhe përkundër faktit që është e disata herë që këto kërkesa janë adresuar te qeveria shqiptare për heqjen e barrierave dhe unifikimin e tregut kombëtar shqiptar. Por përveç premtimeve dhe fjalëve shpresëdhënëse, deri më sot nuk ka pasur asnjë përpjekje për largimin e këtyre barrierave”, thuhet në reagim.

Klubi i Prodhuesve thekson më tej se barrierat kryesore për prodhuesit e Kosovës po hasin gjatë eksportit në tregun e Shqipërisë janë barriera tarifore dhe jo-tarifore, ku në çdo eksport, autoritetet shqiptare kërkojnë Certifikatën e Cilësisë për produktet që i nënshtrohen kontrollit fitosanitar dhe veterinar.

“Është absurde për prodhuesit e Kosovës që në shkëmbimet e tyre tregtare, Shqipëria të jetë e dyta, pas Serbisë, sa i përket barrierave me të cilat ata përballen. Prandaj, Klubi i Prodhuesve të Kosovës i bën thirrje Qeverisë së Shqipërisë që sa më parë të bëjë shqyrtimin e të gjitha kërkesave të prodhuesve kosovarë, dhe të bëjë largimin e barrierave, të cilat vetëm sa i dëmtojnë rëndë përpjekjet për fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, të cilat jo rrallëherë janë cekur si interes strategjik i të dy qeverive”.

Limaj: Tirana ka premtuar për zgjidhje brenda qershorit

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë nuk kanë dhënë shumë detaje me pengesat që po hasin bizneset e Kosovës në Shqipëri. Në një përgjigje për “Monitor” në këtë institucion thonë se kanë pranuar shumë kërkesa për pengesat që po hasin bizneset.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka pranuar kërkesa konkrete nga kompanitë vendase lidhur me barrierat që hasin në rast të eksportit në Shqipëri. Barrierat tregtare janë diskutuar në nivel dypalësh teknik dhe politik, por asnjëherë shumica prej barrierave nuk kanë marrë zgjidhje të përhershme”.

Kurse, nga zyra e zëvendëskryeministrit dhe koordinatorit kombëtar të dy qeverive, Fatmir Limaj, kanë thënë se disa nga marrëveshjet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë zbatuar dhe disa do të zbatohen deri në fund të muajit qershor.

“Sa i përket marrëveshjeve Kosovë – Shqipëri, nga mbledhja e mbajtur në Pejë mes dy qeverive më 26 nëntor të vitit të kaluar, siç ka deklaruar edhe Koordinatori Kombëtar i dy qeverive, Fatmir Limaj, të gjitha marrëveshjet janë në realizim e sipër. Nga mbledhja e fundit koordinuese të dikastereve përkatëse për realizimin e marrëveshjeve, të dy palët janë zotuar se deri në fund të muajit qershor, do të nisin të zbatojnë të gjitha marrëveshjet”, thuhet në përgjigjet e zyrës së Limajt.

Në këtë institucion kanë treguar se në këtë takim, zëvendëskryeministri Limaj, në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar për zbatimin e marrëveshjeve mes dy vendeve, ka kërkuar që të eliminohen barrierat që pengojnë bizneset kosovare për të bërë biznes apo për të eksportuar në Shqipëri.
“Limaj ka ftuar qeverinë dhe bizneset shqiptare që të bëjnë listën nëse kanë ndonjë barrierë nga ana e Kosovës për të bërë biznes në Kosovë, në mënyrë që të eliminohet ndonjë barrierë eventuale. Po ashtu Limaj ka kërkuar edhe heqjen e skanerit për kontrollin që iu bëhet bizneseve kosovare që kalojnë në Shqipëri, e që iu shkakton kosto shtesë bizneseve”. Për këtë çështje, ditë më parë është deklaruar edhe vetë shefi i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në një konferencë për media, Haradinaj ka thënë se shpreson që të zgjidhen problemet e tregtisë që Kosova ka me Shqipërinë, derisa nuk ka pohuar e as mohuar nëse do t’i vendoset taksë edhe Shqipërisë. I pyetur lidhur me mundësinë e vendosjes së barrierave tarifore ndaj Shqipërisë, Haradinaj ka thënë se “shpresoj që të zgjidhen këto probleme”.

“Me Shqipërinë kemi marrëdhënie të mira, por kemi disa mosmarrëveshje që lidhen me tregtinë, për tregun dhe shpresoj që do t’i zgjedhim”.
E pronari i kompanisë “Pestova” që prodhon në Kosovë çipsa dhe produktet të tjera nga patrajta, Bedri Kosumi ka thënë se aktualisht nuk ka pengesa në eksportin e patates për në Shqipëri. Ai ka thënë se telashe dhe barriera ka pasur vetëm para katër viteve, por viteve të fundit, s’ka asnjë problem.

“Nuk kemi asnjë problem apo barrierë. Gjatë këtij viti kemi bërë eksport të madh të patateve në Shqipëri dhe nuk kemi pasur asnjë barrierë. Ne për vete e kemi tregun më të madh Shqipërinë. Pra, mund të them lirisht se patatja e Kosovës në Shqipëri është e pranishme shumë dhe shitet e përdoret pa asnjë telashe”. Kosumi ka thënë se edhe tarifa rrugore në Rrugën e Kombit nuk i ka penguar që ta eksportojnë produktin e tyre në Shqipëri.
“Edhe tarifa rrugore nuk na ka penguar. Vendosjen e kësaj tarife e ka bërë shteti shqiptarë dhe ne e kemi respektuar atë”, ka thënë ai.
Pronari i “Pestovës” ka treguar se edhe Shqipëria ka treg të patates në Kosovë. Konsumi thotë se patatet e hershme të Shqipërisë janë të pranishme në Kosovë dhe konsumohen nga qytetarët e Kosovës./Monitor