BE dënon fushatën e Daçiqit, kërkon të mos ketë retorikë fyese

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, po e vazhdon fushatën agresive kundër Republikës së Kosovës. Së fundmi ai shkatërroi bankënotën 100 dollarëshe në të cilën shkroi “Kosova është Serbi”, për këtë shkarravitje mori “shuplakë” nga SHBA-të. Veprimin e tij po e dënon edhe Bashkimi Europian. Përfaqësues të BE-së në një bisedë për Gazetën Express e dënojnë fushatën e Daçiqit.

Në rrjetet sociale serbët që mendojnë si Daçiqi i janë bashkuar fushatës, së nisur nga ai, ku përmes bankënotave me vlera dhe valuta të ndryshme, në alfabetin cirilik po shkruajnë “Kosova është Serbi”. Fushata fyese e Ivica Daçiqit u dënua nga ambasada e SHBA-së në Beograd, amerikanëve nuk u erdhi mirë që ai prishi bankënotën 100 dollarëshe në të cilën është i printuar imazhi i Benjamin Franklin. Madje i thanë Daçiqit “Ji në luftë me veset tuaja, e në paqe me fqinjët”.

Gazeta Express përmes email-it ka komunikuar me Maja Kocijancic, zëdhënëse e Shefes së Diplomacisë së BE-së. E pyetur rreth qëndrimit të BE-së ndaj kësaj fushate ajo thotë se secila retorikë fyese është në kundërshtim me qasjen bashkëpunuese dhe pajtuese ndërmjet dy shteteve.

“Secila retorikë që është fyese, konfrontuese dhe përçarëse është në kundërshtim me qasjen bashkëpunuese dhe pajtuese, për të cilën rajoni ka nevojë për të ecur përpara”, thotë Maja Kocijancic.

Kocijancic thekson se dialogu Kosovë – Serbi duhet të sjellë një marrëveshje për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.

“Siç ka theksuar Përfaqësuesja e Lartë në konferencën për gazetarë lidhur me zbatimin e pakos së zgjerimit më 29 maj, ngjarjet e ditëve të fundit tregojnë haptazi se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, i cili ka nisur më shumë se tetë vjet më parë, duhet të sjellë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve, e cila gjithashtu duhet të jetë frytdhënëse, e qëndrueshme dhe afatgjate. Status-kuoja thjeshtë nuk është opsion”, thuhet në përgjigjen e Kocijancic.

Sidoqoftë, veprimi i Daçiqit erdhi pak ditë pasi kryeministrja serbe Ana Bërnabiq tha se shqiptarët janë “njërëz të malit”. Për shkak të kësaj gjuhe në MPJ-në e Kosovës thanë se këmba e Bërnabiq nuk do të shkelë më kurrë në Kosovë.

Daçiq vazhdimish lobon kundër Kosovës, ai prentendon se ka rritur t’ia heq disa njohje Republikës së Kosovës. Fushatë të egër ka bërë edhe gjatë kohës kur shteti ynë kishte gjasa për t’u anëtarësuar në Interpol.