Mulgari prezanton kreacionin e ri Icon03

Kompania britanike që merret me modifikimin e veturave, Mulgari, prezanton kreacionin e saj më të ri të quajtur Icon03. Këtu fjala është për BMW M240i në version Coupe i modifikuar.

Fillimisht, Mulgari ka përforcuar motorin e tij 3.0-litër Turbo me 6 cilindra në “së paku” 500 kuajfuqi, transmeton Koha.net.

Ndryshime kanë pësuar edhe amortizatorët, sistemi i drejtimit, sistemi i shkarkimit të gazrave (Akrapoviç), si dhe aerodinamika (mbrojtësit anësor të zgjeruar, mbrojtësi i përparmë shtesë – spoiler, etj.).

Përveç kësaj, përmendet edhe çatia e bërë nga fibra të karbonit, rrotat dhe gomat e reja, por edhe interieri i modifikuar duke përfshirë ulëset sportive “Recaro”, timoni me pjesën e poshtme të rrafshët, elemente nga fibra të karbonit dhe detaje me ngjyrë të verdhë.

Gjatë muajit korrik, Mulgari do ta testojë Icon03-shin në pistën e njohur Nurburgring dhe pritet që një xhiro ta përfundojë për rreth 7 minuta e 30 sekonda.

Gjithashtu, ky Mulgari Icon03 planifikohet të prodhohet në seri të kufizuar prej vetëm 25 kopjeve dhe çmimi për një model të tillë është rreth 69.000 funte.