Libri “Telat e zemrës” do të përurohet të hënën

Shkruan: Esat Vatovci

Të hënën, më 3 qershor 2019, nga ora 13:00, në ambientet e shkollës “Hilmi Rakovica” në Prishtinë do përurohet vëllimi poetik “Telat e zemrës” i Grupit Letrar “Hilmi Rakovica”.

Redaktori përgjegjës i librit, Mentor Hajrizi, tha se libri përmban kryesisht poezi për fëmijë e të rinj dhe jo vetëm kaq. Libri, sipas tij, vjen pas kurorëzimit me sukses të punës së përbashkët mes mësimdhënësve dhe nxënësve të dalluar të shkollës.

“Idenë për librin e kam diskutuar fillimisht me zëvendësdrejtoreshën e shkollës Zylë Osmanin dhe më pas me mësimdhënësit kolegë të mi. Zëvendësdrejtoresha përkrahu idenë time dhe motivoi edhe mësimdhënësit e tjerë që të punojnë rreth librit”, u shpreh Hajrizi.

Hajrizi thotë se librat e tillë i punon me shumë zell, sepse në këtë mënyrë nxënësit inkurajohen për të shkruar dhe për të lexuar libra.  

“Te “Telat e zemrës” poezitë trajtojnë tema nga realiteti shoqëror, posaçërisht nga ai shqiptar. Krijuesit e variacioneve poetike arrijnë të japin porosi shumë të vlefshme dhe shpesh synojnë të sjellin edhe emocione të fuqishme te lexuesi”, thuhet në parathënien e librit.

Ballinën e punoi mësimdhënësi i artit Eroll Murati, ndërkaq përgatitjen kompjuterike të librit e ka bërë mësimdhënësja e anglishtes Ibadete Hyseni. Botimin e librit e ndihmoi Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës.