100 vizatime të Mulliqit në GKK

Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani-Bunjaku, hapi të enjten ekspozitën “Home +”, që i është kushtuar veprës së Muslim Mulliqit, i cili me krijimtarinë e tij pamore la gjurmë të pashlyeshme në artin pamor shqiptar.

Bunjaku ka vlerësuar se ky moment është shumë i rëndësishëm në historinë e artit në Kosovë, duke marrë parasysh faktin se prezantohen vizatimet të cilat nuk janë ekspozuar më parë nga doajeni i artit bashkëkohor, Muslim Mulliqi.

Ekspozita “Home +” është kuruar nga Zeni Ballazhi, kuratori rezident që para të pranishmëve falënderoi familjarët e Mulliqit për besimin e dhënë kuratorit që të jetë pjesë e kësaj ekspozite, e cila sipas tij është goxha e vështirë të jetë pjesë e seleksionimit të një artisti të përmasave të tilla. “Muslimin jemi mësuar ta shohim nëpër piktura, sonte e sjellim në dimensione më ndryshe nga ato të pikturave, vizatime që datojnë nga vitet e fillimit të punës së tij e deri në vitet e fundit të tija. Kurse sonte prezantohen 100 prej vizatimeve të tija. Stilin të cilin Muslimi e përdor në këto vizatime është një stil ekspresionist, trajton temën e jetës së përditshme të Muslimit. Për të është folur shumë, flitet dhe do të flitet, është shkruar dhe do të shkruhet edhe në të ardhmen. Por veprat të cilat ndodhen brenda flasin më shumë se ne këtu, secili nga ne mund të zbulojmë ose të shohim shumëçka nga jeta dhe vepra e tij”, tha Ballazhi. “Për këtë qëllim përparimet e termave kanë dy forma, ‘Rezultati i propozimeve – Veprimi’, rezultati ka përparësi dhe tjetra që ka përparësi është veprimi. Kur veprimi ka përparësi ne përpiqemi ta kuptojmë pamjen në drejtim të veprimit që e prodhon atë. Në këtë rast rezultati dhe veprimi kanë prioritet.

Veprat e Muslim Mulliqit japin shumë mesazhe të lidhura me kohën dhe me botën e tij. Vizatimet si baza themelore e shprehjes pamore, kompozicionet (duke kërkuar hapësira të reja) janë evidente”, shkruan në fjalën kuratoriale Ballazhi.

E sipas tij kjo i bën që të zbulojnë dhe ta kuptojnë lidhjen me veprën, lirinë e interpretimit të tij në raport me realitetin e një jete të jetuar në mënyrën tonë të lirë. Sipas tij, këto vizatime shërbejnë si një lidhje organike ndërmjet këtyre pozicioneve, në të cilat përdoren dimensionet e mëdha të qytetit dhe të peizazhit.

Në vizatimet e Mulliqit zënë vend edhe referencat mitologjike, simbolike dhe rishfaqen gjithmonë brenda zhvillimit të tyre koherent drejt një ekspresioni figurativ dhe origjinal. Ai mbështetet në forma të marra nga bota reale, nga të cilat ekzistojnë shembuj të pafund.

Akademik Rexhep Feri, që ishte i pranishëm dhe që ka kaluar një dekadë të tërë së bashku me Muslim Mulliqin, evokoi kujtime nga koha që kanë kaluar bashkë me të, duke e lartësuar personalitetin e veprën e tij.

Muslim Mulliqi ka qenë anëtar i SHAFK-së që nga themelimi. Është njëri prej themeluesve dhe dekan i parë i Akademisë së Arteve në Prishtinë, ndërsa anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës është prej vitit 1980. Vdiq në vitin

1998.

Ekspozita u hap më datën 30 maj 2019, në orën 20:00 dhe do të qëndrojë e hapur deri më 30 qershor 2019. /Zëri/