Vuçiq: Nëse Kosova vendos të bashkohet me Shqipërinë, ky do të jetë vendimi i Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka komentuar deklaratat e fundit nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në lidhje me bashkimin me Shqipërinë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se Serbia do të reagojë në mënyrë serioze, të përgjegjshme dhe të vendosur nëse vjen deri tek një referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

I pyetur për të komentuar deklaratat e fundit nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në lidhje me bashkimin me Shqipërinë, Vuçiq ka thënë se e ka paralajmëruar Bashkimin Evropian, transmeton lajmi.net.

“Kur i kam paralajmëruar njerëzit në BE se Prishtina nuk sjell një platformë të tillë e cila është kundër dialogut, rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe gjykimin e serbëve për gjenocid, më kanë thënë nga Brukseli se nuk do të vjen deri këtu dhe se ata nuk do ta bëjnë”, u shpreh Vuçiq për mediat serbe.

“Para tri ditësh i kam njoftuar për atë që ka thënë Thaçi dhe më kanë përsëritur njësoj, se kjo nuk do të ndodhë”, shtoi ai. Në rast se ndodh vërtetë, Vuçiq ka thënë se Serbia do të reagojë fuqishëm.