Sulmohet sërish gruaja rome në Ferizaj, reagime të shumta (Foto/Video)

Gruaja nga komuniteti rom e cila para disa ditësh u linçua nën akuza të rrejshme dhe u sulmua në Lipjan nga disa qytetarë, është parë sot në qytetin e Ferizajt.

Ndërkohë është publikuar edhe një video, ku ajo shihet duke u sulmuar sërish në Ferizaj.

Major Mehmetali Hadini, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se gruaja në fjalë gjendet në stacionin policor në Podujevë, dhe se për momentin nuk kanë informacione nëse është sulmuar.

“Kemi marrë informatën nga një qytetar se në sheshin e Ferizajt është parë gruaja në fjalë. Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe e kanë shoqëruar gruan për në stacionin policor, ku edhe gjendet aktualisht”, ka thënë Hadini.

Hadini ka shtuar se në vend ngjarje është edhe njësia e hetimeve duke grumbulluar informata se a është sulmuar apo jo gruaja në fjalë.

“Nuk e dimë se a është sulmuar apo jo, pasi që ajo nuk po flet. Kohë pas kohe po i flet disa fjalë anglisht por jashtë teme. Në kohën kur policia ka arritur në vend ngjarje nuk ka pasur persona që mund të dyshohet se e kanë sulmuar”, ka thënë Hadini.

Ai ka shtuar se do ta njoftojnë Qendrën për Punë Sociale e cila do të merret pastaj me veprimet e tjera lidhur me të.

Pas këtij sulmi kanë ardhur reagime të shumta, përfshirë edhe nga liderë të institucioneve në Kosovë, shoqëria civile dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, duke e quajtur aktin si të shëmtuar.

Një reagim ka ardhur nga Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase të Kosovës (RROGRAEK).

Në reagim thuhet se janë tejet të shqetësuar lidhur me rastin e gruas nga komuniteti rom, e cila sot u sulmua sërish, në qytetin e Ferizajt.

RROGRAEK konsideron se kjo që po ndodh me gruan rome, është tejet serioze, pasi që ajo u sulmua, përkundër asaj që shteti një ditë më parë, e mori atë nën mbrojtje.

“Ku mund të drejtohemi dhe tani më nuk e dimë kush do të kujdeset për të. Jeta e saj është në rrezik. Kërkojmë dhe bëjmë apel tek gjitha instancat e larta në vend, që të merren seriozisht me këtë rast”, thuhet në reagim.

Sipas RROGRAEK, kjo sjellje brutale ndaj një gruaje, e cila vjen nga komuniteti rom, e e cila është dyfish e diskriminuar, së pari si grua dhe më pastaj si komunitet pakicë, duhet ta marrë dënimin e merituar dhe të mos mbetet vetëm në suaza të deklaratave.

“Përderisa Policia e Kosovës, ka deklaruar se gruaja e cila ishte riatdhesuar nga Belgjika në Kosovë në vitin 2011, nuk dyshohet për ndonjë aktivitet kriminal, por e cila u sulmua pasi që grupe të ndryshme online, kanë alarmuar rrejshëm për rrezikun që pretendohej se ajo paraqiste, nuk duhet të mbetet me kaq. Por se rasti duhet të qartësohet deri në fund dhe akteret e këtij rasti, të cilët ushtruan dhunë ndaj një gruaja rome, të marrin dënimin e merituar”, thuhet tutje në reagim.

RROGRAEK fton institucionet përkatëse që të marrin rastin parasysh dhe të marrin masa disiplinore
ndaj sulmuesve, duke të trajtuar rastin deri në fund.

RROGRAEK po ashtu u bënë thirrje institucioneve arsimore në Kosovë, që të kenë kujdes me fëmijët, tek të cilët të mos ketë nxitje të urrejtjes ndaj qytetarëve të komuniteteve tjera dhe të ketë sulme në baza racore, si në rastin me gruan e komunitetit rom. /Telegrafi/