“Mburrja” e shtetit me Policinë, s’u paguan as orët shtesë e as sigurimin shëndetësor

Pesë policë u plagosën në aksionin e djeshëm në veri të vendit ku u arrestuan 19 zyrtarë policorë që dyshohet se ndërlidhen me krimin e organizuar e kontrabandën. Nga të arrestuarit 11 ishin zyrtarë serbë, 4 shqiptarë dhe 4 të tjerë boshnjak.

Policët e lënduar u dërguan në përkujdesje mjekësore, teksa dje u vizituan edhe nga drejtori i tyre, Rashit Qalaj, e ministri i Brendshëm Ekrem Mustafa, shkruan lajmi.net.

Por, vizita që i bënë Qalaj e Mustafa nuk po u zgjidh punë e lëna pezull atyre. Arsye po del të jetë mungesa e sigurimeve shëndetësore.

Ani pse kjo çështje ishte përmendur plot herë, në kuadër të premtimeve e në kuadër të qëllimeve të institucioneve të sigurisë, një gjë e tillë nuk ndodhi as sot.

Premtimet e qeveritarëve mbetën vetëm në kuadër të premtimeve, e asnjëherë të realizimeve. Këtë për lajmi.net e thotë edhe kryetarja e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Valbona Kamberi.

Ajo thekson se tash e sa vite është kërkuar një gjë e tillë për Policinë e Kosovës, mirëpo kërkesa në fjalë nuk është realizuar asnjëherë.

“Çështja e sigurimeve shëndetësore është bërë edhe temë debati për arsye se ne krejt kohën edhe vitin e kaluar edhe këtë vit e kemi përmend. Pra flasim për sigurimin alternativ dhe jo ligjin për sigurime shëndetësore. Tjetra është se janë dhënë premtime që do të bëhet sigurimi i jetës dhe aksidental, mirëpo edhe ajo nuk ka hasur në mirëkuptim përmes qeverisë dhe kryeministrit”, ka thënë Kamberi.

Kamberi thotë se nuk janë ndaluar asnjëherë së kërkuari realizimin e kësaj kërkese, teksa shton se kanë hasur në vesh të shurdhër.

“Ne e kemi cekur edhe në takimin e fundit me kryeministrin ku kemi kërkuar që të mbështetet ky sigurim edhe shëndetësor mirëpo edhe i jetës. Megjithatë premtimet janë të vazhdueshme mirëpo assesi deri tek realizimi i saj”, ka thënë ai.

Mirëpo tek ministria e Punëve të Brendshme ua hedhin fajin Qeverive të kaluara.

Zëvendësministri në këtë dikaster, Isa Xhemajlaj, për lajmi.net thotë se është për keqardhje fakti që Qeveritë e kaluara nuk janë marrur fare me këtë temë.

Ai shpreson se kjo çështje do të përfundojë brenda këtij viti.

“Ky proces ka filluar mirëpo mua më ka ardhë shumë keq që Qeverisjet paraprake nuk janë marrë fare me këtë punë. Tash kanë fillu e ka ngrit drejtori i Policisë bashkë me ministrin, dhe janë duke punuar në këtë drejtim. Janë gjasat e mira që këtë vit me e përfundu por varet edhe sa do të ketë financa mirëpo besojë që përfundojnë”, ka thënë ai.

Qeveria nuk i pagoi as orët shtesë për Policinë e Kosovës.

Ishte tetori i vitit të kaluar, kur kryeministri Haradinaj thoshte se policëve do t’u paguhen orët shtesë. Ai shprehej mjaft i gëzuar ngase sipas tij u ‘lanë’ llogaritë me policët e shtetit, të cilëve në bazë të fjalëve të Haradinajt që nga ajo kohë do t’u paguheshin orët jashtë orarit të punës, por as kjo nuk ndodhi.

Kamberi thekson se është për të ardhur keq që një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende dhe që marrëveshja e arritur nuk është respektuar.

“Orët shtesë për Policinë e Kosovës nuk janë paguar. Është për të ardhur keq që nuk janë realizuar premtimet dhe marrëveshjet e arritura”, ka thënë Kamberi.

Indinjatë më të thellë ajo shpreh me ministrin e Financave, Bedri Hamza nga i cili ajo drejton gishtin në lidhje me dështimin e kësaj marrëveshjeje.

Sipas Kamberit, është jetike që kur kërkohet angazhim dhe punë maksimale nga pjesëtarët e Policisë, të mos u plotësohen edhe kërkesat themelore të tyre.

E vetë ministri i Financave, Bedri Hamza, për lajmi.net thotë se kjo çështje duhet të shkojë sipas ligjit.

Sipas tij, ministria e Punëve të Brendshme e ka listën e pagave dhe nëse ka orë shtesë ata janë të detyruar t’i paguajnë.

“S’ka premtime, këtu ka ligj. Gjithçka çka e kanë të drejtë me ligj ata janë të obliguar të ia paguajë ministria e Punëve të Brendshme, ata e kanë listën e pagave, ata i procedojnë. Ligji është i qartë, puna e natës paguhet 120 % dhe puna pas 40 orëve në javë. Gjithçka që është me ligj, ministria e Financave e ekzekutojnë, mirëpo nuk është mirë me thanë kështu”, thekson Hamza.

Hamza thekson secila organizatë buxhetore i detyrohet Ligjit, njëlloj si ministria e Financave të cilën ai e thekson.

“Secila organizatë buxhetore në nivel qendror apo lokal i detyrohet ligjit ashtu siç i detyrohet edhe ministria e Financave. Nëse ata kanë orë shtesë sipas legjislacionit ata janë të detyruar me jau pagu, edhe punën e natës dhe të gjithë, mirëpo nëse diçka është  jashtë ligjit atëherë është problem i tyre”, përfundoi ai.

E jo të rralla kanë qenë rastet kur policët e Kosovës kanë pësuar në krye të detyrës.

Para pak muajsh, në Istog pas një shkëmbim zjarri mes një grabitësi dhe policit Izet Demaj, kishte mbetur i vdekur në vend ky i fundit.

E një vit kanë kaluar që prej tragjedisë që kishte tronditur vendin, ku në një aksident trafiku në magjistralen Kaçanik – Han i Elezit kishin mbetur të vdekur dy policët, Armend Trena e Malsor Dashi.

Lajmi.net kishte realizuar një kronikë me familjarët e këtij të fundit. /Lajmi.net/Endrit Dragaj