Mustafa: Sali Berisha monument i pavarësisë së Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i ka quajtur të dëmshme dhe të panevojshme sulmet ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-presidentit e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.

Ai ka thënë se sulmet e tilla nuk nxjerrin ndonjë të vërtetë, derisa ka shtuar se të gjithë i njohin edhe Thaçin edhe Berishën.

Ndërkaq, ka thënë se do të fitonte ndonjë duartrokitje nëse do ta cilësonte presidentin Thaçi si bashkëpunëtor të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, por se nuk e thotë atë sepse, siç thotë ai, “nuk e njoh [Thaçin] si të tillë”.

“Do të fitoja ndoshta ndonjë aplauzë nga një numër i njerëzve në Kosovë nëse presidentin Thaçi e cilësoj si bashkëpunëtor të Vuçiqit dhe si njeri që po e shet Kosovën. Unë nuk e kam njohur si të tillë, prandaj nuk mund t’i them veç se e do pazari. Nuk jemi në Pazar të plaçkave, por në një moment shumë delikat që po kalon vendi ynë. Kështu që cilësimet nuk janë çështje personale, por ato u adresohen institucioneve që përfaqësojnë individët”, ka thënë ai.

Mustafa thotë se Thaçit ia ka thënë edhe personalisht se diskursi i tij politik për korrigjim të kufijve është shumë i gabueshëm.

“Ai duhet të korrigjohet. Nëse jo, do ta ketë veten në qafë, jo të tjerët. Prandaj kot shahemi e ofendohemi, sepse një zgjidhje e tillë nuk kalon, ajo është e papranueshme. Dhe kjo duhet të na mjaftojë”, ka shkruar ai.

Duke folur për sulmet që i kanë nisur në distancë Thaçi me Berishën, ai tha se nuk ndan të njëjtin mendim me të parin se i dyti ka qenë bashkëpunëtor i Sllobodan Millosheviqit.

“Duhet të mendohesh mirë e ti thuash ish-presidentit të Shqipërisë dhe ish-kryeministrit, Sali Berisha se ishte bashkëpunëtor i Serbisë dhe i Millosheviqit. Nuk është me rëndësi të gjurmojmë se kur dhe çfarë kanë thënë njëri për tjetrin dhe si e kanë ngritur shoqishoqin në piedestal, por edhe ne të tjerët e njohim edhe Sali Berishën edhe Hashim Thaçin”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

Mustafa thotë se Sali Berisha, si president dhe kryeministër i Shqipërisë, e ka bërë të mundurën e pamundurën për ta ndihmuar dhe përkrahur Kosovën, ndërsa për kohën sa ka qenë ministër në ekzil i Qeverisë Bukoshi, thotë se për Kosovën ka qenë e hapur çdo derë e Qeverisë dhe Presidencës shqiptare me Sali Berishën.

“Ka qenë në dispozicion tonin e tërë diplomacia shqiptare, ministër, ambasadë e ambasador. Kjo ka vazhduar edhe pas luftës. Prandaj, Sali Berisha ka qenë, është dhe mbetet një monument i pavarësisë së Kosovës”, thotë ai.

Në fund, ai thotë se Kosova dhe Shqipëria duhet të respektohen në mënyrë të ndërsjellë dhe të evitohen cilësimet degraduese që shkojnë “deri edhe me emra kafshësh”.