Të shtëna jashtë një xhamie në Florida, të paktën një i vdekur

Së paku një person ka gjetur vdekjen pasi një person i armatosur njoftohet se ka hapur zjarr mbi xhaminë e Fort Lauderdale, Florida.

Siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, të shtënat ndodhën jashtë xhamisë Al Iman në Fort Lauderdale të premten në mëngjes, sipas kohës lokale.

Policia ende nuk ka thënë nëse ndonjë i dyshuar është arrestuar apo se cili është motivi.

Ndërkohë viktima thuhet se është identifikuar si një burrë i cili u gjet i vdekur jashtë një vetura me vrima të shumta plumbash në të.

Gjithashtu bëhet e ditur se edhe një armë u gjet pranë trupit të tij.

Disa media supozojnë se një polic ishte i përfshirë në të shtënat, edhe pse një gjë e tillë nuk është konfirmuar.

Pamjet e kapura nga ajri kanë shfaqur prezencën e policisë rreth ndërtesës, megjithëse sulmuesi nuk duket të jetë ende aktiv.