Përmbyllet faza e dytë e ligjëratave në shkolla

Njësia e Trafikut Rrugor në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë, ka përmbyllur fazën e dytë të ligjëratave  për nxënësit nëpër shkolla në  përfitimin e njohurive themelore  për temën ‘’ Siguria në trafikun rrugor”- ka bërë të ditur zëdhënësi rajonal i Policisë në Mitrovicë Avni Zahiti.

Këto ligjërata janë realizuar në vazhdën e  angazhimeve të vazhdueshme  në  sensibilizimin dhe vetëdijesim e  nxënësve  me njohuri themelore  për respektim të rregullave në trafikun rrugor, ku kryesisht janë përfshirë nxënës të ciklit të ulët të shkollave fillore. Përveç pjesës teorike janë realizuar edhe aktivitete praktike ku janë demonstruar sjelljet e nxënësve  si këmbësorë  në trafikun rrugor.

Këto ligjërata janë zhvilluar nëpër hapësirat shkollore në komunat: Mitrovicë, Skenderaj dhe Vushtrri, ku janë përfshirë 15 shkolla, me 850 nxënës, ku mbarëvajtja e ligjëratave është realizuar në bashkërendim me autoritete edukativo-arsimore, në nivel të drejtorive komunale të arsimit, të drejtorive të shkollave, nga të cilët është vlerësuar se këto ligjërata po plotësojnë nxënësit me njohuri shtesë dhe të domosdoshme në fushën e sigurisë në trafik.

Angazhimet  policore në fushën e ofrimit të sigurisë në shkolla, si dhe në lëmin e këshillimit, edukimit dhe aktiviteteve tjera nuk do të mungojnë në të ardhmen. Ky bashkëpunim i mirë me institucionet e arsimit po reflekton në mbrojtje dhe vetëdijesim të sigurisë në trafikun rrugor. /vizioni.info/