Nesër 20 vjet nga Masakra e 22 Majit, tragjedisë së mëngjesit të shtunës së vitit 1999

Përmendet pak, dhe nuk figuron në mesin e masakrave të mëdha që janë bërë nga paramilitarë e militarë serb anë e mbanë Kosovës, por 22 Maji është një ditë tmerri e terrori mbi shqiptarë civil të paarmatosur për ata që e mbajnë mend këtë datë.

Pas tre javësh nga Masakra e Studimes, më 22 Maj do të zinte vend edhe një masakër tjetër mbi shqiptarë, këtë herë ata dhunshëm do të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe do të grumbulloheshin te varrezat e qytetit, por terrorin, e dhuna çnjerëzore do të binte mbi supet e mbi 60 civilëve shqiptarë që do të grumbulloheshin në një shtëpi afër ambulantës së vjetër të qytetit, transmeton Vushtrriaonline.net.

Dëshmitë e atyre që mund të kenë parë nga brenda shtëpisë pas largimit të forcave serbe, thuhet të jenë të papërshkrueshme nga pesha e rëndë e gjurmëve që kishin mbetur brenda, duke rrëfyer kështu heshturazi llahtarshmërinë e krimit që ndodhi atë ditë.

Trupat e civilëve shqiptarët të ekzekutuar ishin larguar nga vendi i krimit pastaj nga forcat serbe, për t’u gjetur vite më vonë disa prej tyre në varrezat masive në serbi.

Për të kujtuar të rënë dhe këtë masaker, Komuna e Vushtrrisë nesër do të mbaj edhe një akademi përkujtimore.