LIBËR ME VLERA QË TË NXISIN PËR VEPRIME POZITIVE

Shkruan: Safet Hasani       

(Bedri TAHIRI, Agimi i Lirisë, LenaGraphic, Prishtinë, 2018)

Lexuesit shqiptarë që kanë përcjellë aktivitetin shkencor, krijues dhe hulumtues të profesor Bedri Tahirit, nuk e kanë të vështirë të vërejnë përmasat gjigante shkencore, historike e krijuese të njërit prej botuesve më të spikatur në Kosovë. Për dekada të tëra, prej leximit të librave dhe shkrimeve të tij, lexuesi ka mundur të reflektoj në tema nga më të ndryshmet dhe nga më të shumtat mbi historinë, gjuhësinë dhe letërsinë shqiptare, e në veçanti mbi personalitetet e ngritura të heronjve shqiptarë në Kosovë dhe më gjerë, kryesisht gjatë periudhës së fundit të historisë tonë kombëtare.

Prof. Bedri Tahiri është autor i shumë artikujve, shkrimeve, seksioneve shkencore, dhe i më shumë se dyzet librave shkencore që hedhin dritë në historinë e kombit shqiptar. Me veprimtarinë e tij shkencore e krijuese ka tri dekada që prof. Tahiri është identifikuar dhe brumosur me fatin historik të heronjve tanë të shekullit që lamë pas, e në veçanti për luftën e fundit në Kosovë, si rrallë kush, ai nuk u ndal asnjë moment duke i përjetësuar dëshmorët dhe heronjtë tanë me dokumentacione dhe me shkrimet e tij historike shkencore. Zgjuarsia e tij të kujton një vullkan aktivitetesh historike e shkencore të një shkrimtari gjigant.

Tani, autori Bedri Tahiri vjen me një botim të ri të titulluar “Agimi i Lirisë”, publikuar nga shtëpia botuese “Lëna Grafik” në Prishtinë.
Edhe pse libri përmban një titull që paraqet vetëm figurën e një personi, përmbajtja e tij është e karakterit të gjerë historik, duke bëre që libri të dalë nga kufijtë e ngushtë monografik. Si i tillë, libri na jep shpjegime për shumë ngjarje me rëndësi nga historia shqiptare e luftës së UÇK-së, në zonat e Drenicës dhe të Shalës. Duke trajtuar aktivitetin e protagonistit të këtij libri, këtu elaborohen në detaje ngjarjet kryesore nga e kaluara shqiptare, siç është rasti i organizimit politik në fillim vitet 90’ në Mitrovicë, mbrojtja e shkollave shqipe pas masave të dhunshme të regjimit serb, veprimtarinë në pajtimet e gjaqeve dhe angazhimi në luftën e UÇK-së. 

Kur flasim dhe shkruajmë  për Agim Rr. Ramadanin, nuk kemi parasysh vetëm jetën ushtarake, luftëtarin e një njeriu të mirë e të devotshëm, por shikuar më gjerë, flasim për një hero i përmasave gjigante, intelektualin, organizatorin e strategun ushtarak që tërë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare dhe luftës për lirinë e atdheut. Është më se e vërtetë se çështja jonë kombëtare ishte rrugë jo e lehtë për të kaluar. Këtë rrugë e ndoqi Agimi me shumë shokë tjerë, të cilët ia falën edhe më të shtrenjtën atdheut, jetën.

Autori i kësaj monografie, prof. Bedri Tahiri, i ka dhënë përmasat e universit figurës së shquar të heroit Agim Rr. Ramadani, duke pasur si forcë tërheqëse veprimtarinë e tij kombëtare në fushën politike dhe ushtarake. Nisur nga kjo sentencë e fuqishme, autori i librit ka kurorëzuar me sukses punën disavjeçare në hulumtimin e figurës së ndritur të Agim Rr. Ramadanit si një luftëtar i paepur, në radhë të parë, dhe pastaj, në të gjitha fushat e veprimtarisë së tij. Prej vitesh, duke mbledhur intervista, dokumente, faksimile nga Arkivat e UÇK-së, Arkivat e Shtetit, dosjet e familjes Ramadani, autori ka kërkuar me ngulm të dokumentojë figurën shumëpalëshe të udhëheqësit dhe luftëtarit për çështjen kombëtare. Materiali arkivor dhe bibliografik, të cilin autori e ka shfrytëzuar me shumë profesionalizëm, paraqet fakte, personalitete dhe njerëz të profileve të ndryshme që e plotësojnë më së miri figurën e Agimit në jetën dhe veprimtarinë e tij.

Shkrime të ndryshme, në revista dhe gazeta të ndryshme, kushtuar figurës së Agim Rr. Ramadanit, janë shkruar dhe thurur nga studiues kompetentë dhe secili shkrim ka një tematikë në vete.

Përmbajtja e librit fillon me disa të dhëna historike të familjes Ramadani. Megjithëse, në libër nuk janë publikuar faksimilet e pemës gjenealogjike të familjes Ramadani, e cila ka prejardhjen nga fshati Prekaz i Drenicës, që autori me të drejtë ka paraqitur mjaft të dhëna për paraardhësit.

Struktura e librit me kapitujt e shumtë që organizojnë lëndën në mënyrë kronologjike, e japin mjaft të detajuar monografinë e Agim Rr. Ramadanit, por merita e autorit është se ka zbërthyer në fushë studimi në detaje kronologjinë familjare të heroit. Pas përshkrimit gjeografik të krahinës Drenicës, ku u lind Agimi, autori përshkruan edhe figurat kombëtare prej të cilëve edhe u inspiruan luftëtarët e UÇK-së, siç ishin Hasan Prishtina, Ahmet Delia, Azem Bejtë Galica, etj., e mbi të gjitha për vendlindjen e tij, Prekazin Heroik, nga i cili rrodhën heronj kolosal të çështjes kombëtare, Ahmet Delia, Emin Meha, Tahir Meha, deri te komandanti legjendar Adem Jashari.

Autori për jetën e Agim Rr. Ramadanit, fillon me fëmijërinë e shkollimin e tij që kishte përfunduar me suksese të larta, ku kishte vazhduar studimet në Universitetin e Prishtinës.

Një kapitull i veçantë i kushtohet periudhës kur ai ishte i angazhuar në jetën politike dhe një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mitrovicë viteve ‘90-ta, dhe në angazhimin për pajtimin e gjaqeve në Drenicë, në Shalë e në Rrafsh të Kosovës.

Autori Bedri Tahiri, ka dhënë shumë hollësira lidhur me jetën e tij ushtarake në vitin 1998 deri në ditën e rënies së tij. Për këtë, ai i referohet faksimileve, deklaratave, raporteve, revistave, dhe dokumentacioneve që paraqesin figurën e Agimit në një oficer i shkëlqyeshëm në luftën e UÇK-së për çlirimin e vendit. Autori në këtë pikë hap një dritare të re studimi për të gjithë ata që merren me studimin e historisë, ku të gjitha të dhënat janë të paraqitura nga origjinali dhe gjenden të ruajtura tek autori.

Kapitull interesant në libër është edhe: Të tjerët për dëshmorin Agim Rrahm Ramadani. Me dhjetëra studiues, bashkëveprimtarë, bashkëluftëtarë e familjarë, të cilët, në mënyrë reale e pasuruan këtë vepër. Gjithashtu, fotografitë dhe faksimilet e paraqitura në këtë hulumtim e madhështojnë dhe faktorizojnë këtë monografi.

Në fund të librit, autori ka bërë përshkrimin fizik e moral të Agim Rr. Ramadanit, personazhit të tij, të një eprori dhe një luftëtari të patrembur. Në këtë konkluzion autori ka arritur, duke pasur parasysh të gjitha vlerësimet nga letrat, telegramet, artikujt, të dhënat gojore dhe të shkruara për të. Libri nuk ka vetëm vlera njohëse historike, por ka vlera që të nxisin për veprime pozitive. Libri është i vlefshëm për të gjithë, që do t’i shërben një studiuesi të historisë, një studenti, një sociologu, një pushtetari a politikani, një gazetari a një poeti, një drejtori a menaxheri. /Vizioni.Info/

(Libri është promovuar në Bibliotekën Kombëtare, në Prishtinë, më 25 shtator 2018).

Vushtrri, më 20 maj 2019