Një përurim madhështor

Shkruan: Bedri TAHIRI

Sot, në një atmosferë të ngrohtë shoqërore, miqësore e familjare, në sallën solemne të Gjimnazit “Eqrem Çabej” në Vushtrri, e cila mezi i zinte dashamirët e fjalës së bukur shqipe, u bë një përurim madhështor i librit poetik “ZËNKË NIMFASH” të autores, EJONË HASANI, gjimnaziste maturante e kësaj vatre edukativo-arsimore.

Fjala ime        

NGAZËLLIME VASHËRIE

E nderuara autore e librit që sot po e përurojmë!
Të dashur nxënës, kolegë, drejtor e zv. drejtor, mysafirë, krijues e artdashës, udhëheqës komunalë, arsimorë e kulturorë!
Të respektuar të pranishëm!

Parandjenja ime, që, nxënësja Ejonë Hasani, ka talent për t’u bërë poete, më doli e saktë, ashtu siç më kishte dalë edhe për shumë pena të tjera, para saj. Këtë e mbështesja  në thënien profetike popullore: Dita e mirë shihet në mëngjes! Zelli dhe përkushtimi i saj poetik është manifestuar herët, duke u shpërfaqur në libra e revista shkollore, e, veçmas, në konkurset letrare, duke rrëmbyer edhe çmimet kryesore.

Mirëpo, sivjet, në të ikur nga Gjimnazi ynë, ku dha maksimumin në të gjithë lëmenjtë, në mësime e në aktivitete, shpërtheu rrëmbyeshëm, si dallgë e detit të trazuar, duke na dhuruar librin, me një titull simbolik e paksa provokues “ZËNKË NIMFASH”.

Kjo penë premtuese, që në librin e parë, me sukses ka përmbushur detyrimin ndaj lexuesve kureshtarë dhe, me vargjet e fuqishme e përplot frymëzim, duke kalëruar shfrenueshëm, me krahët e Pegazit mitik, nëpër kohë dhe hapësirë, na jep garanci të fortë për një të ardhme edhe më të sigurt drejt majave të perandorisë së parajsës, të quajtur LETËRSI!

Libri poetik “ZËNKË NIMFASH”, është një portë dritëdhënëse që rrezaton frymë lirike, optimiste e ngazëlluese për jetën, për dashurinë, për librin, për stinët dhe bukuritë natyrore, për diturinë, për dëshmorët, për gjuhën, për historinë, për sfidat e përditshmërisë, por mbi të gjitha për synimet e rinisë sonë drejt ardhmërisë…

Mosha e adoleshencës, përkundër ca vështirësive hileqare, horizontet e mendësisë i ka të hapura, që, mu si bleta punëtore, të shëtis lule me lule, duke mbledhur nektarin e lumturisë së jetës, për të na ëmbëlsuar me shijen e mjaltit. E tillë është edhe vasha me ëndrra të mëdha, Ejonë Hasani, që më vargjet e saj të bukura e erëmira, na i mbush zemrat me ngazëllim e përdëllim qetësues.

Se liria është më e shtrenjtë se jeta, e ka kuptuar edhe poetja e re, e cila, krahas tematikës së lehtë të moshës së saj, preokupohet edhe me ato më seriozet, me luftën e me liribërësit. Kështu, të poezia Dëshmorëve, ajo shkruan:

Jetën atdheut ia falët,

Edhe zemrën plot mirësi,

Luftën asnjëherë s’e ndalët,

Për t’na sjellë të shtrenjtën liri.

Nëse Gjergji ynë i madh, kur u kthye në Krujë, luftëtarëve dhe popullit liridashës, iu drejtua më fjalët, tashmë si thënie profetike: Lirinë nuk ua solla po e gjeta midis jush!, poetja, paksa me një dozë hakërrimi, bazuar në përditshmërinë tonë kaotike, shkruan:

Rrudhat e shkëmbinjve sikur vajtojnë,

Presin dikë, ashtu si të gjithë ne,

Lirinë, jo, këtu nuk e gjete,

Atë ti na e solle, gjeneral Skëderbe!

Imagjinatën e saj të padjallëzuar e ngacmon edhe një plagë e jonë e pashërueshme, mërgimi, andaj, vargjet e saj duhet mbajtur si vath në vesh, sepse bartin një amanet brezash:

Zgjohu Kosovë!

Akoma ç’po pret?

Guri i rendë peshon në vend të vet!

Kjo poete e talentuar nuk kursen vargje për margaritarë e as për mësimin e mësuesit, e në veçanti  për Mësonjëtoren e parë shqipe, për këtë shenjë të shenjtë, duke thënë:

Mos harroni të kaluarën,

Mbani vesh, ju o shqiptarë;

E bukura Korҫë e serenatave

Hapi Mësonjëtoren tonë të parë!

Tashmë dihet, poezia meditative, zakonisht u shkon poetëve më në moshë, por, ja që edhe kjo fillestare, me imagjinatën e saj të bujshme,         kalon ato caqe dhe gjen fuqinë e të përjetshmes. Kështu, te poezia “Zenkë nimfash”, emrin e së cilës e ka marrë edhe libri, po tjerash shprehet:

Lëvizin degët përhumbshëm, si të ishin në faj

Një melodi ogurzezë kap vesh i pastërvitur,

Përmallshëm era shkrehet në vaj-

Nimfat sonte qenkan grindur!

Tekefundit, të gjitha krijimet e kësaj përmbledhjeje, që, në fakt, paraqesin një mozaik të mrekullueshëm, një larushi  ngjyrash të purpurta ylberore, shikuar hollë e hollë, përbëjnë një tërësi harmonike, kompozicionale e përmbajtjesore,  të cilat, fund e krye, i përshkon një pe i mëndafshtë, si ai i Arianës mitologjike, lajtmotivi: Dashuria për jetën dhe ardhmërinë! Kjo, madje, tejkalon edhe mbi besëtytnitë eventuale që, edhe mund t’i mjegullojnë shumë ëndrra vashërie, dhe, të poezia “Ah, këto bestytëni” , gjykon me maturinë e një urtaku  me përvojë, duke dhënë një porosi të qartë për brezat e ardhmërisë:

Rrugën vazhdoje e filxhanin mos e përmbys,

Para teje le të thyhen një milion, ose vetëm një pasqyrë,

Se atë që të ndodh,  e kontrollon veҫ ti,

E nesërmja nuk përlyhet me të maces ngjyrë!

Ejonë, rrugë të mbarë, për  në Mbretërinë e Luleve!

Vushtrri, 17 maj 2019