Rreth librit biografik “Një shqiptar në CIA”

Shkruan: Ma. Bekri Murselaj

Libri biografik “Një shqiptar CIA” i Bashmir Xhemajt, pasqyron kohën nga Lufta e Dytë Botërore dhe përpjekjet e shqiptarëve, si një lloj kundërshtimi ndaj pushtuesve italianë, gjermanë dhe jugosllavë. Libri “Një shqiptar në CIA” është një libër biografik dhe historik me kryepersonazhin real Destan Berisha, në këtë libër flitet me gjuhën e fakteve dhe jo të fiksionit. Vitet e luftës dhe përpjekja e kryepersonazhit Destan Berisha, me shokët e tij, bëjnë që në këtë libër të flitet për një realitet që ka ndodh, dhe që tashmë kryepersonazhi Destan Berisha bëhet sinonim i kundërshtimit ndaj pushtuesve. Kryepersonazhi Destan Berisha, një njeri i zakonshëm por me vyrtyte të larta atdhedashurie arrinë të bëhet një figurë unifikuese e shumë përkrahësve të tij, në luftimin kundër shtypjeve nga armiku. Autori Bashmir Xhemaj, rrëfimin biografik për kryepersonazhin e fillon pikërisht nga fshati Billushë, vendlindja e kryepersonazhit dhe burgosja e tij e parë në Prizren, më 1943. Burgosja e Destan Berishës, në vitin 1943, është një nxitje edhe mëtutje për kryepersonazhin për ta vazhduar aktivitetin e tij ilegal, pas arratisjes nga burgu. Jeta e kryepersonazhit në këtë libër biografik, është një jetë e mbushur plot sfida dhe përvoja të reja për kryepersonazhin në fjalë. Aktiviteti i kryepersonazhit në këtë libër biografik pasqyrohet në fillim me përkrahjen e shokëve nga fshati si Amet Osmanaj dhe të tjerëve, për të zgjeruar aktivitetin e tij ilegal, në qytetin e Prizrenit e më gjerë. Në librin në fjalë kryepersonazhi, bëhet sinonim i kryengritjes së atëherëshme, për të fituar përkrahjen edhe të shokëve dhe ideologëve të tjerë, që kishin të njëjtin qëllim dhe mision.

Libri “Një shqiptar në CIA” i Bashmir Xhemajt, përpos që flet për aktivitetin e kryepersonazhit të tij në të njëjtën kohë flet për një kohë historikisht të njohur nga të gjithë, por të pa treguar aktivitetin tashmë jo vetëm të Destan Berishës, por dhe të shumë shokëve të tij të ilegales shqiptare, që kanë dhënë një kontribut në përmirësimin e jetës politike shqiptare.

Titulli i librit “Një shqiptar në CIA” është një titull jo i zakonshëm në lexim të parë, ngase tingllon paksa paradoksal, por që në lexim e sipër, që prej titullit përjetohet realiteti.

Destan Berisha “Një shqiptar në CIA” bëhet figurë e njohur dhe e rëndësishme pas rënies në kontakt me amerikanët në Greqi. Deri në momentin e kalimit të kufirit në Greqi kryepersonazhi i këtij libri biografik mund të cilësohet vetëm si një kundërshtar i thjesht, ndaj pushtuesve duke dhënë kontributin e tij bashkë me shokët e ilegales; ndërsa pas kalimit në Greqi kryepersonazhi dhe shokët e tij, bëhen figura kombëtare duke përfaqësuar jo vetëm më vendlindjen apo komunën e tyre, por tashmë përfaqësojnë një popull të tërë.

Kryepersonazhi i këtij libri edhe mëtutje luan rol mjaft të rëndësishëm në proceset dhe detyrat e reja, që ngarkohen Destan Berisha dhe shokët e tij, që njihen me emrin “grupi shqiptar”. Në këtë libër biografik pasqyrohen përpjekja e kryepersonazhit dhe shokëve të tij, që të arrijnë një përmbysje të pushtetit komunist në Shqipëri dhe Jugosllavi.

Aktiviteti i “grupit shqiptar” në krye me Destan Berishën, japin mesazhin se ndryshimet do të ndodhin në trojet shqiptare duke u angazhuar që ky grup të punojë në të mirën e popullit shqiptar. Ndërsa puna e tyre si bashkëpunëtorë të CIA-s, është një kontibut i veçantë ngase përmes tyre, njihen SHBA-at, për gjendjen në Jugosllavi.

Në këtë libër biografik për Destanin, sa jepet jeta e tij, po aq jepet edhe gjendja në të cilën kanë kaluar populli shqiptar, dhe përpjekjet e tyre në vazhdimësi. Bashmir Xhemaj me librin “Një shqiptar në CIA” hedh në dritë një aktivitet të heshtur deri më tani, nga ky grup i ilegales shqiptare që kanë vepruar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa nëse ndalemi dhe flasim vetëm për jetën e kryepersonazhit në veçanti do të shohim se në këtë libër jeta e kryepersonazhit Destan Berisha karakterizohet me vuajtje, krenari, sakrifica dhe elemente të tjera që e bënë të njohur si një njeri me vizion të hapur përballë jetës, pavarësisht pengesave që mund të dalin para tij. Kryepersonazhi bëhet figura më karizmatike e grupit, ku arrinë të ketë ndikim deri në organet më të larta të shtetit amerikan.