Rashica vazhdon me formë të lartë

Reprezentuesi i Kosovës, Milot Rashica, ka vazhduar me formë të lartë. Mesfushori i krahut, Rashica të shtunën ka asistuar golin e parë për Werder Bremenin në fitoren 2:1 që e shënoi në shtëpi ndaj Freiburgut, në xhiron e 29-të të Bundesligës gjermane.

Rashica asistoi në minutën e 76-të për Davy Klaassenin. Ai luajti 87 minuta. Për Freiburgun luajti tërë ndeshjen Amir Abrashi dhe u ndëshkua me karton të verdhë, shkruan sot “Koha Ditore”. Rashica 22-vjeçar këtë stinor ka shënuar dhjetë gola e ka asistuar tre të tjerë në 24 ndeshje në të gjitha garat.

Werder Bremeni zë vendin e shtatë me 46 pikë dhe është në garë për një vend në Top 6 që dërgon në Ligën e Evropës. Titullarë të shtunën në Bundesligë ishin edhe Admir Mehmedi e Elvis Rexhbeçaj për Wolfsburgun.

Wolfsburgu pësoi 2:0 në udhëtim ndaj RB Leipzigut. Mehmedi luajti tërë ndeshjen, ndërsa Rexhbeçaj 69 minuta. Florent Muslija u aktivizua nga minuta e 65-të në humbjen 1:0 që Hannoveri e pësoi të shtunën në shtëpi ndaj Borussia Moenchengladbachut.