Zëri që na bënte zemrat mal

Shkruan: Bedri TAHIRI

(Bajram Halil Gashi, Ah…Shqipni…mos thuj mbarova!, Durrës, 2018)

Pas një pune disavjeçare, përplot zell e përkushtim, mësuesi dhe arsimdashësi i pasionuar, atdhetari i përbetuar, autori edhe shumë veprave të tjera, i palodhuri Bajram Halil Gashi, lexuesve të tij të shumtë, në vitin 2018, ua dhuroi edhe librin e shkëlqyer “AH…SHQIPNI…MOS THUJ MBAROVA!”.

Libri, faktikisht, u kushtohet familjeve të persekutuara nga shovinistët serbo-malazez, të cilat u detyruan ta lëshojnë Kosovën e tyre të dashur dhe t’ia mësyjnë Shqipërisë mëmë, siç e quanin, e ku, të shumtën, gjetën “dimër”.

Autori, edhe pse, brenda 360 faqesh, ka grumbulluar e sistemuar një mal faktesh e ngjarjesh historike, kulturore, etnografike, për kryeprotagonistë ka përzgjedhur dy Yje të Yllësisë sonë, të traditës kulturore e muzikore, të pavdekshmit: Dervish Shaqën e Demush Nezirin, të cilët, pavarësisht rrethanave, mbajtën gjallë shpirtin e shqiptarizmës: trimërinë, bujarinë, besnikërinë dhe burrërinë e kosovarëve të panënshtruar!

Kësaj radhe, pa mëtuar të hyjmë në hollësitë e librit, të cilin autori ma dhuroi me përkushtim të veçantë, po e shkëpus opinionin tim, duke i dëshiruar autorit shëndet e sukses të mëtejme në fushën e krijimtarisë letrare!

  • * *
    Kur isha fëmijë dhe tinëz dëgjonim Radio-Kukësin, një zë burri, përcillte përmes telave të çiftelisë, jehonën, që depërtonte edhe në tokën e mbetur jetime, e na i bënte zemrat mal.
    Vargjet për Ahmet Delinë, për Azem Galicën, për Kamer Loshin, për Nak Berishën e qindra dhe qindra të tjerë, na vinin, si një kambanore zgjimi, duke na frymëzuar, për të përballuar çdo vështirësi. E kujt nuk i kujtohen vargjet e fuqishme, përplot patetizëm e alegori, të atij malësori me pamje kreshnikësh të motit?!
    Dhe, të gjitha këto, lidheshin me një emër: Dervish Shaqa:
    “Ah, Kosovë, mos thuej marova”,
    apo:
    “Kur ta kthym Kosov’shpinën!
    E lam ‘bor’ e gjetëm dimën”!…

Si fillim vetëm kaq, asgjë më shumë. Çdo gjë, si nëpër mjegull. Të tjerat i mësova më vonë. Oh, ç’mrekulli! Rapsodi që adhuroja aq shumë, ishte nga Kosova!

Dervish Shaqa, deri në marasakeqin e vitit 1956, jetoi në Kosovë, mbasi viti 1956, ishte moti i përndjekjeve dhe i dëbimeve, nga aksioni famëkeq, i njohur “Mbledhja e armëve”, që ndërmori në atë kohë Sigurimi i Punëve të Brendshme i Jugoslavisë, (UDB), kundër shqipëtarëve. Dervishit iu desh të lëshonte Kosovën. Ai së bashku me kolegun e tij të idealit dhe të këngës, Demush Neziri, u vendosën fillimisht në Shënavlash, e më pas Dervishi përfundimisht në Rrashbull, në afërsi të Durrësit. Aty e vazhdoi shprehjen e ndjenjave, nëpërmjet këngës përplot patos e mallëngjim, që për të, ishte e vetmja mënyrë e shprehjen së dhimbjes krenare, që kishte për familjen dhe vendlindjen, që për të, ishin “Mollë e ndalume”, për sa kohë, që ishte gjallë.

Kënga e Dervish Shaqes, ishte histori e shkuar historie. Ai e vazhdoi traditën e këndimit të historisë së vendlindjes së tij. Në vargjet e këngëve të tij dhe në tingujt e bukur të sharkisë, gjallojnë kullat e gurta të Dukagjinit, figurat madhore kombëtare, atdhetare, burrave sypatrembur, e trima, që vdekjen e shikonin drejt në sy e që i thoshin: Paç!

Në Rrashbull, Dervish Shaqa udhëhoqi suksesshëm Grupin Rapsodik, me të cilin më 1968, prezantohet për herë të parë në Festivalin e Folklorit Kombëtar në Gjirokastër, duke mbajtur këngën gjallë, bashkë me kolegun e tij, Demush Neziri, duke i thurë himne pavdekësisë së Azem e Shote Galicës, Ahmet Delisë, Nak Berishës, Kamer Loshit, Isa Boletinit, etj.

Mbarë shqiptaria e mban mend Dervish Shaqen, si këngëtar të lindur, që këndoi për këngën, jo për grada e pasuri. Repertori i këngëve të tij është pasuri kombëtare. Populli dhe adhuruesit e tij të shumtë, nuk i harrojnë për jetë të jetëve këngët:
“Ah…, Kosovov’, mos thuej marova”!
“Të shtatat’krajlat, rrehin telin”!
“Isa Beg, po t’thrret nana”!
“Te Verrat e Llukës, n’Qaf t’Morinës”.
“Haxh’Mustafa”!
“Prej Podrime, po vjen haberi”!
“Pyet Kosova, për nji çik”!
“Kanga e Rexhës”!
“Hajmedet, për lug t’Baranit”!
“E kam pas’nji çifteli”!

Mbi melodinë dhe tekstin e këngës së Dervish Shaqes, kompozitori i mirënjohur shqiptar, Tish Daija, përpunoi këngën “Festë të madhe ka sot Shqipëria”, që është më e pranishme dhe e preferuar, që prej asaj dite e deri sot.

Duke qenë përfaqësues tipik i këngës së Kosoves, ai arriti të unifikojë dhe ta tipizojë një këndim të veçantë autentik shqiptar, që kishte filluar të ushtronte një ndikim jo vetëm te shtresa e rapsodëve në Kosovë, por edhe në trevat veriore të Shqipërisë.

Dervish Shaqa qe dhe mbeti shembulli më unikat i rapsodit popullor, me një origjinalitet të pakrahasueshëm te brezat. Ama, mbeti zë i papërsëritshëm, një zë origjinal, që askush nuk mundi ta imitojë, a ta zëvendësojë.

Lavdi për mot e jetë, ikonë së këngës epike shqiptare, të pavdkeshmit Dervish Shaqa!

Vizioni.info Author