Mancini reagon pas fyerjeve raciste ndaj Kean

Selektori i kombëtares së Italisë, Roberto Mancini, ka reaguar pas ngjarjeve të fundit në futbollin italian, ku ylli i Juventus, Moise Kean, ishte viktima e sulmeve raciste.

Kean vuajti nga fyerjet raciste gjatë ndeshjes që Juventus e zhvilloi kundër skuadrës së Cagliari, në kuadër të xhiros së 30-të në Serie A.

Pas këtyre ngjarjeve, një reagim ka ardhur edhe nga selektori i Italisë, Roberto Mancini, i cili ka cilësuar këto ngjarje si të papranueshme.

“Gjestet e përdorura ndaj Kean janë të papranueshme “ ka thënë Mancini për reporterët, transmeton lajmi.net.

“Sjelljet raciste duhet të ndëshkohen që të mos përsëriten. Kean është akoma i ri. Ndoshta herën tjetër ai nuk do të festojë ashtu, por ka qenë në stres” ka thënë tutje trajneri.

Probleme me racizmin janë shfaqur këtë edicion edhe në Premierligë, ku viktimë ka qenë Raheem Sterling, i cili vuajti në ndeshjen ndaj Chelsea, në ‘Stamford Bridge’.