ZRRE kundërshton kërkesat e investitorit të parë strategjik në Kosovë, rrezikohet investimi prej 180 milion eurosh

Ani pse ishte shpallur investitori i parë strategjik në Kosovë, kërkesat e bazuara në standarde dhe praktika ndërkombëtare të kompanisë SOWI Kosovo dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë nuk kanë gjetur përkrahje nga e fundit dhe si rrjedhojë, Kosova rrezikon të humbë investimin prej 180 milion eurosh, transmeton Gazeta Metro.

Derisa po raportonte në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, theksoi se në fund të javës Këshilli Ndërministror për Investime Strategjike do të ketë takimin e rradhës me investitorin, ku edhe do të ofrohen përgjigjjet negative në kërkesat.

‘Do të shohim nëse investitori me këto përgjigje dëshiron të vazhdojë tutje apo jo’, tha ai në fund të raportimit, duke lënë të hapur mundësinë që ky investitor të largohet nga Kosova.

Disa nga kërkesat e parashtruara nga investitori ishin përkrahur, derisa për tjerat ende nuk është kthyer përgjigje zyrtare, ani pse në mbledhje të Qeverise Ministri Shala konfirmoj se disa janë refuzuar.

Përveç kompanisë SOWI Kosovo, një kompani Gjermano – Kosovare, në projektin në fjalë të përfshirë janë edhe Enlight Industries nga Izraeli, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe General Electric nga SHBA-të, 27 turbina të të cilëve do të vendosën në Selac, Bajgorë, për të bërë prodhimin e 105 megavatëve të energjisë elektrike.

Ani pse për katër vite radhazi kishte mbledhur mbi dhjetëra leje në zyre të ndryshme në Kosovë dhe kishte marrë autorizimin final nga ZRRE-ja, kompanisë së shpallur investitori i parë strategjik në Kosovë ZRRE-ja i është përgjigjur negativisht në kërkesat përfundimtare, që përveç tjerash kanë të bëjnë edhe me ditën e hyrjes në fuqi të kontratës për blerje të energjisë.

Projektet e prodhimit të erës në rajonin e Bajgorës, përveç ndikimit të jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik dhe në furnizimin e rregullt me energji elektrike, sjellin edhe shumë aktivitete investuese në infrastrukturë publike në Bajgorë, me anë të të cilave do të sigurohej zhvillimi dhe integrimi i këtij rajoni në komunitet.