Nga nesër marrin pagat të gjithë punëtorët e Trepçës

Punëtorët e Trepçës që nga nesër, ditë e hënë do të marrin pagesat për muajt e kaluar. Këtë e ka bërë të ditur Kryesuesi i Bordit të Trepçës, Ardian Syla, transmeton Gazeta Metro.

kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku ka thënë se deri më tash vetëm punëtorët e minierës me flotacion në Stan Tërg i kanë marrë pagat e muajit të kaluar por jo edhe ata të njësive tjera biznisore në kombinatin Trepça.

Kryesuesi i Bordit të Trepçës, Ardian Syla, ka thënë për Epoka e Re, se ka pasur para nga mjetet e prodhimit vetëm për pagat e minierës me flotacion në Stan Tërg dhe që nga nesër do të transferohen paratë nga buxheti i shtetit për të gjithë punëtorët e Trepçës.

“Më 14 mars kemi nënshkruar me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka një marrëveshje me të cilën Trepça përfiton si tërësi rreth 5 milionë euro, një pjesë e tyre është për subvencione me transfer, kurse pjesa tjetër është për investime kapitale, por që për shkak të procedurave ende nuk kanë ra në linjën e Trepçës. Ne jemi në pritje dhe besoj se të hënën do të përfundojë kjo çështje dhe mandej bëhet pagesa edhe për punëtorët e njësive tjera për muajin e kaluar. Mirëpo kjo ndarje që ka ndodhur vetëm për minierat me flotacion në Stan Tërg ka qenë veprim i menaxhmetit dhe i kanë bërë pagesat për aq sa ka pasur mjete në dispozicione, sepse nuk ka pasur mjetet për pagesat e punëtorët të njësive tjera, pra prej mjeteve të prodhimit. Më së largu të hënën ose të martën do të bëhet shpërndarja e të gjitha pagave”, ka thenë Syla.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve në Trepçë, Shyqyri Sadiku ka thënë se vetëm punëtorët e Stan Tërgut kanë marrë pagat deri më tani, kurse punëtorët e njesive të tjera akoma nuk i kanë marrë.

Sadiku thotë se nuk e di akoma arsyen për këtë ndarje të parave pasi që marrëveshja është nënshkruar mes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe kryesuesit të Bordit për subvencionim të Trepçës dhe është bërë alokimi i mjeteve nga buxheti i Republikës së Kosovës.

“Punëtorët e ‘Trepçës’ akoma nuk i kanë marrë pagat në tërësi, pasi që të premten u janë dhënë pagat vetëm punëtorëve të minierës së Stan Tërgut, ndërsa të gjitha njësitë tjera duke përfshirë edhe minierën e Artanës dhe Kishnicës, nuk i kanë marrë pagat. Ne nuk i dimë arsyet se pse është bërë kjo ndarje, kur dihet që është nënshkruar marrëveshja në mes të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe kryesuesit të Bordit për subvencionim të Trepçës dhe është bërë alokimi i mjeteve nga buxheti i Republikës së Kosovës diku rreth 5 milionë euro. Ne Sindikata e Trepçës e kundërshtojmë këtë ndarje në mënyrë të padrejtë që dikujt t’i jepet paga e dikujt jo. Nuk ka ndonjë arsye që të bëhen këto ndarje. Në të gjithë jemi punëtorë të ‘Trepçës’ dhe duhet të trajtohemi në mënyrë të barabartë”, ka thënë Sadiku.