Trazira në Serbi, protestuesit hyjnë me dhunë në objektin e televizionit publik

Me moton ” 1 nga 5 milionë, një grup protestuesish në Beograd, të cilët janë kundër Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, kanë hyrë me forcë në televizionin RTS.

Siç shkruajnë mediet serbe, një nga organizatorët e protestës “1 në 5 milionë” Jelena Anasonoviç dhe një grup qytetarësh nuk janë të kënaqur me mënyrën e mbulimit të protestës nga ana e televizionit, dhe kështu janë futur me forcë brenda.

Ata kanë kërkuar që t’ju jepet hapësirë në edicionin e lajmeve qendrore, që t’i paraqesin kërkesat e tyre, ndaj Vuçiqit.

Siç shkruam AlJazeeraBalkans, protestuesit kanë thënë se nuk do ta lëshojnë ndërtesën e televizionit pa u paraqitur drejtpërdrejt në edicion të lajmeve.

“Kemi hyrë në RTS që ta kthejmë atë të populli. Nuk do të dalim deri sa nuk ndërron politika redaktuese” ka thënë njeri nga liderët e opozitës në Serbi.

Policia kanë arritur në vendngjarje, duke tentuar për t’i larguar protestuesit.

Nuk lejohet që të sulmohen gazetarët. Çdo njeri që guxon të përsërit skenarin e Maqedonisë do të merr dënimin e duhur. Këta sot marrin shtetin me dhunë dhe po bëjnë sulm mbi shtetin”, ka thënë Nebojsha Stefanoviç.

Ndërkaq, përfaqësues të opozitës dhe shoqërisë civile, në fjalimet e tyre, gjatë protestave akuzojnë presidentin serb Aleksandar Vuçiq për shkeljen e lirive të fituara demokratike.

Lëvizja marshon nën flamurin “1 nga 5 milionë”, që është referencë për një koment të bërë nga Vuçiq në dhjetorin e kaluar, kur u zotua se nuk do të tërhiqet kurrë, edhe nëse 5 milionë njerëz do të dalin në rrugë.

Protesta kundër Vuçiqit janë organizuar edhe në disa qytetet të tjera të Serbisë.

Protestat filluan pasi një politikan opozitar u rrah nga banditë nëntorin e kaluar. /Telegrafi/