Nënshkruhet Memorandum Bashkëpunimi për evidentimin e rasteve të dhunës në familje

Gjatë një ceremonie formale, sot u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit për Sistemin e Integruar të Evidentimit të Rasteve të Dhunës në Familje.

Memorandumi u nënshkrua mes Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës si dhe Policisë së Kosovës.

Nënshkrimi i këtij memorandumi bart rëndësi të veçantë, pasi që do të ndikojë në parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje. Sistemi i integruar i evidentimit të rasteve të dhunës në familje, do të mundësojë monitorimin dhe ndjekjen e rasteve të dhunës në familje në Kosovë, por mbi të gjitha do të ndikojë edhe në rritjen e llogaridhënies për rastet e dhunës.

Në ceremoninë e nënshkrimit, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka shprehur konsideratë të lartë për Zëvendës Ministrin e Drejtësisë, Naim Qelaj i cili është edhe Koordinator Kundër Dhunës në Familje, dhe po ashtu për UN Women, për punën e bërë në ngritjen e vetëdijesimit kundër dhunës në familje.

“Data baza e dhunës në familje, nuk ka qëllim klasik grumbullimin e të dhënave sa për t’i evidentuar ato, por edhe analizën shkak-pasojë në mes tyre, analizën e rasteve të dhunës ne familje, rrjedhimisht, ndërtimin e një perspektive më efektive që i përgjigjet problemeve reale” ka thënë ministri Tahiri.

“Ky Memorandumi i Bashkëpunimit të cilin e nënshkruam sot për bazën e të dhënave për viktimat e dhunës në familje, e lehtëson punën tonë dhe koordinimin ndërinstitucional që në bazë e të dhënave të sakta për viktimat e dhunës, të avancojmë edhe shërbimet sociale në mbrojtje të kësaj kategorie,“ deklaroi Ministri Skender Reçica, Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Baza e integruar e të dhënave mund të jetë një mjet i dobishëm në luftën kundër dhunës në familje. I përshëndes institucionet për përpjekjet dhe bashkëpunimin e tyre, që rezultoi në nënshkrimin e një Memorandumi të bashkëpunimit sot, por duhet theksuar që dhuna në familje kërkon përpjekje nga e gjithë shoqëria. Të gjithë duhet të raportojnë dhunën dhe të kuptojnë rëndësinë e raportimit të rasteve të dhunës në familje “, u shpreh Annette Fath-Lihic, Këshilltare Politike e Përfaqësueses Speciale të BE-së / Koordinatore Ekzekutive nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

“Përgëzoj Kosovën për bazën e integruar e të dhënave, e cila do të ndihmojë në përcjelljen e progresit lidhur me luftën kundër dhunës në familje“, tha Ulrika Rikardson, Koordinatore për zhvillim e Kombeve të Bashkuara, duke shtuar se: “Drejtësia nuk duhet të jetë e verbër para pabarazive gjinore!”

Rëndësia e këtij memorandumi u vlerësua edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës: “Kjo marrëveshje na obligon të merremi me këtë fenomen. Çdo ditë e më shumë ka raste të raportuara për viktimat e dhunës në familje dhe për ne kjo është një shenjë e mirë sepse tregon për vetëdijesimin e qytetarëve“ tha Qalaj. Ai theksoi se “rastet e dhunës në familje janë rastet më komplekse, sfiduese dhe të ndjeshme.“