Kryetari i Vushtrrisë i prezanton Llamkosin presidentit të Industrisë së Metalit në Republikën e NRW

Kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri, ka takuar sot në Gjermani z. Arndt G. Kirchhoff, President i Industrisë së Metalit në Republikën e NRW, Gjermani, njëherit Drejtor i Përgjithshëm dhe CEO i KIRCHHOFF Group që është lider global në fushën e Auto industrisë në botë. Tema kryesore e takimit ishte njoftimi për mundësinë që të investohet në ish Llamkos në Vushtrri, duke e rifunksionalizuar apo riorganizuar këtë gjigant ekonomik. Kryetari Tahiri e njoftoi Presidentin Kirchhoff për mundësitë për investime në Kosovë e konkretisht edhe në Vushtrri dhe e luti mikpritësin që të konsiderojë Vushtrrinë dhe ish Fabrikën Llamkos për investime nga Kirchhoff Group në të ardhmen.

Po ashtu Kryetari Tahiri e njoftoi mikëpritësin për avantazhet e investimit në Kosovë, të rinjtë dhe fuqinë punëtore si dy përparësitë më të mëdha që ka Kosova. Kryetari Tahiri i shpjegoi z. Kirchhof traditën e Kosovës në të shkuarën në prodhim të pjesëve të automobilave si fabrika e baterive në Mitrovicë, ish Fabrika e Amortizatorëve në Prishtinë dhe ish fabrika për pjesë automobilistike në Pejë.

Z. Kirchhoff e ka shoqëruar Kryetarin Tahiri në fabrikën e Kirchhoff Group në Attendor, Gjermani, ku prodhohen pjesë të automobilave për të gjitha brendet botërore duke i shpjeguar procesin e punës në fabrikë. Ai shprehu interesim që të vizitojë Kosovën në të ardhmen ku babai i tij, Dr. Jochen Kirchhoff, President aktual i Kirchhoff Group ka qenë inxhinier kryesor gjatë ndërtimit të termocentralit Kosova A.

Kirchhoff Group është lider global në industrinë e automobilëve, ka fabrikat në 18 shtete të botës, punëson 30,000 punëtorë dhe ka qarkullim vjetor prej 2.3 miliardë euro.