Ministri Matoshi dhe ministrja Hoxha koordinohen për projektet e fondeve IPA

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, së bashku me sekretarin Arben Çitaku dhe këshilltarët politik, sot kanë pritur në takim ministren e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, sekretarin e ministrisë dhe kabinetin e ministres, me të cilët kanë diskutuar për bashkëpunimin mes dy ministrive në çështjet e integrimeve evropiane, fondet e IPA-s, në fushën e mjedisit dhe zbatimin e direktivave të BE-së që lidhen me fushat që mbulon MMPH-ja. “Në takimin me ministren e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, kemi diskutuar për shumë tema dhe projekte, ndër to ndërrimi i filtrave të Kosovës B, ndërtimi i deponisë në Fushë Kosovë për materiet e klasifikuara si të rrezikshme, për fondet ndërkufitare me Shqipërinë, për projektet e deponisë së Mirashit, deponisë në Pejë dhe shumë projekte tjera që janë të planifikuara me fondet e IPA-së”, deklaroi ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi në konferencën  për media.  I pari i MMPH-së, Matoshi, tha se nuk do të lejojnë të humbin fondet e IPA-së, për shkak se sipas tij këto fonde mbështesin projekte jetike për Republikën e Kosovës. “ Janë projekte dhjetëra milionëshe që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetë e qytetarëve të Kosovës, sidomos ato të mjedisit. Ne nuk e kemi luksin dhe nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që këto fonde të rrezikohen, qoftë për shkak të interesave të ndonjë grupi të vogël të shoqërisë sonë. Janë projekte jetike për Kosovën dhe ne si Ministri e Mjedisit do të bëjë gjithçka që është në dorën tonë, dhe që është e mundur që këto projekte të avancohen përpara”, tha ministri Matoshi.Ndërsa ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha vlerësoi takimin me ministrin Matoshi, duke thënë se të dy, janë të gatshëm për të zbatuar projektet nga fondet e IPA-së.  “ Është me rëndësi të theksohet se gjatë takimit tonë, ne kemi diskutuar edhe disa projekte më specifike dhe që janë më me prioritet për qytetarët e Republikës së Kosovës, pasi që ndikojnë në masë të konsiderueshme për përmirësimin e ambientit. Dy ministritë  jemi të përkushtuara që sa më parë të zbatohen këto projekte”, deklaroi ministrja Hoxha.Ministrja Hoxha, tregoi se Kosova është përfituesja e dytë më e madhe në botë e fondeve të Bashkimit Evropian dhe e para përfituese në rajon. /Vizioni.info/